Kafeja nuk shërben vetëm si një nxitës energjie në mëngjes – sipas një studimi të ri, ajo mund të ketë përfitime të rëndësishme për shëndetin e zorrëve dhe trurit.
Kërkimi i realizuar nga APC Microbiome Ireland në University College Cork tregon se si kafeja me dhe pa kafeinë ndikon pozitivisht në bakteret e zorrëve, duke sjellë përfitime edhe për humorin dhe nivelin e stresit.
Studimi analizoi 62 persona, ku gjysma ishin konsumues të rregullt të kafesë. Ata që pinin 3–5 filxhanë në ditë u ndaluan për dy javë nga konsumimi, periudhë gjatë së cilës u vunë re ndryshime të dukshme në mikrobiomën e tyre – bakteret që jetojnë në sistemin tretës.
Pas rikthimit të kafesë, pjesëmarrësit raportuan ulje të stresit, depresionit dhe impulsivitetit, pavarësisht nëse konsumonin kafe me apo pa kafeinë.
Studimi, i publikuar në Nature Communications, zbuloi nivele më të larta të disa baktereve të dobishme tek konsumuesit e kafesë, të cilat ndihmojnë tretjen dhe mund të luftojnë bakteret e dëmshme.
Po ashtu, u vu re një rritje e baktereve të lidhura me emocione pozitive, veçanërisht tek gratë.
Lloji i kafesë duket se luan rol të ndryshëm: kafeja pa kafeinë lidhet me përmirësim të kujtesës dhe të mësuarit, ndërsa ajo me kafeinë ndihmon në uljen e ankthit dhe përmirëson përqendrimin.
Ekspertët besojnë se përfitimet nuk vijnë vetëm nga kafeina, por edhe nga përbërës të tjerë si polifenolët, të cilët kanë veti anti-inflamatore dhe mbrojnë qelizat e trurit.
Sipas studiuesve, kafeja mund të ndikojë në mënyrën se si funksionojnë bakteret në zorrë dhe të përmirësojë komunikimin mes sistemit tretës dhe trurit – i njohur si “aksi zorrë-tru”.
Gjithashtu, kafeja ndihmon në prodhimin e dopaminës, një substancë që lidhet me ndjenjën e mirëqenies, duke ulur rrezikun e ankthit dhe përmirësuar motivimin.
Ekspertët theksojnë se kafeja duhet të jetë pjesë e një diete të balancuar dhe të shëndetshme, duke ofruar përfitime që shkojnë përtej efektit të saj stimulues. /GazetaExpress/