Dieta perëndimore rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës - Gazeta Express
string(54) "dieta-perendimore-rrit-rrezikun-e-semundjeve-te-zemres"

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

27/04/2026 19:21

Dieta perëndimore rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

27/04/2026 19:21

Një studim i fundit paralajmëron se dieta tipike perëndimore, e pasur me kripë dhe e varfër në fruta dhe drithëra të plota, po shndërrohet në shkakun kryesor të parandalueshëm të sëmundjeve të zemrës.

Sipas ekspertëve, ushqimet ultra të përpunuara – të pasura me yndyra të ngopura, kripë dhe sheqerna të shtuar – vijojnë të rrisin ndjeshëm rrezikun për infarkt, goditje në tru dhe vdekje të parakohshme.

Megjithatë, analiza më e fundit identifikon tre faktorë kryesorë dietikë që kanë kontribuar në mbi 5 milionë vdekje gjatë vitit 2023: konsum i lartë i kripës, mungesë e frutave dhe konsum i ulët i drithërave të plota.

Studimi, i bazuar në të dhënat e “Global Burden of Disease”, ka analizuar 13 faktorë ushqimorë përgjatë 33 viteve, duke theksuar se këto zakone ushqimore lidhen drejtpërdrejt me rritjen e rasteve të sëmundjeve koronare dhe goditjeve në tru.

Ekspertët theksojnë se një dietë e pabalancuar – me pak fibra, fruta, perime dhe produkte të shëndetshme, por e pasur me mish të përpunuar, yndyra trans dhe pije me sheqer – ndikon negativisht në shëndetin kardiovaskular.

 Në veçanti, kripa e tepërt rrit tensionin e gjakut, duke shtuar rrezikun për sëmundje të zemrës.

Nga ana tjetër, fibrat, të pranishme në fruta, perime dhe drithëra të plota, luajnë rol mbrojtës duke ulur kolesterolin “e keq”, ndihmuar në kontrollin e peshës dhe stabilizimin e sheqerit në gjak.

Studimi evidenton gjithashtu dallime të theksuara gjinore dhe gjeografike, ku burrat rezultojnë më të rrezikuar për shkak të kombinimit të dietës së dobët me faktorë të tjerë si duhani dhe alkooli.

Ndërsa në disa vende, sidomos në Azi dhe rajone me zhvillim më të ulët, ndikojnë edhe faktorë ekonomikë dhe mungesa e aksesit në ushqime të shëndetshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që konsumi i kripës të mos kalojë 5 gramë në ditë, ndërsa marrja e fibrave duhet të jetë rreth 30 gramë për të rriturit. Megjithatë, shumica e popullsisë nuk arrin këto nivele.

Studiuesit përfundojnë se përmirësimi i cilësisë së dietës duhet të mbetet një prioritet global në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, duke kërkuar ndërhyrje të koordinuara si në edukimin ushqimor ashtu edhe në rritjen e aksesit ndaj produkteve të shëndetshme. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement