Como mori një fitore 2-0 ndaj Genoas, por ndeshja u shoqërua me shqetësim për yllin e tyre Nico Paz, i cili u dërgua në spital pas një dëmtimi në kokë.
Trajneri Cesc Fabregas konfirmoi se mesfushori kishte probleme me shikimin pas një përplasjeje koke me mbrojtësin e Genoas, Mattia Marcandalli gjatë pjesës së parë.

Sipas raportimeve, Paz i kishte thënë stafit mjekësor se nuk shihte mirë dhe se kishte vështirësi me shikimin në njërin sy.
Për këtë arsye, ai u zëvendësua në pushim nga Maxence Caqueret dhe u dërgua në spital në Genoa për kontrolle mjekësore.
Fabregas më vonë deklaroi: “Nico po përmirësohet, është në spital dhe po bëhen vlerësimet e nevojshme. Ai kishte vështirësi me shikimin. Gjithsesi, është e rëndësishme për ne të gjejmë zgjidhje të ndryshme brenda skuadrës”.
Më pas, raportimet e “Sky Sport Italia” konfirmuan se testet nuk treguan probleme serioze dhe lojtari është liruar nga spitali dhe po kthehet me skuadrën e Comos.
Nico Paz ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të sezonit për Comon, me 13 gola dhe 8 asistime në 38 ndeshje.
Ndërkohë, Real Madridi ende mban opsionin e riblerjes prej 9 milionë eurosh për të dhe raportet sugjerojnë se klubi spanjoll synon ta aktivizojë këtë klauzolë./GazetaExpress/