Pirja e qumështit pas ushtrimeve fizike mund të ndihmojë në mbrojtjen e të moshuarve nga frakturat e rrezikshme për jetën, sugjeron një studim i ri shkencor.
Me plakjen e popullsisë globale, ruajtja e masës muskulore dhe dendësisë së kockave është kthyer në një sfidë madhore shëndetësore. Në Mbretërinë e Bashkuar, mbi tre milionë njerëz jetojnë me osteoporozë, ndërsa rreziku është edhe më i gjerë: deri në 40% e personave mbi 50 vjeç mendohet se kanë osteopeni, faza më e hershme e hollimit të kockave.
Ushtrimet e rregullta, veçanërisht ato të rezistencës (forcës), janë konsideruar prej kohësh si një nga mënyrat më efektive për të luftuar sëmundjet muskuloskeletore. Tani, shkencëtarë kinezë sugjerojnë se kombinimi i ushtrimeve të forcës me një gotë qumësht pas stërvitjes mund të ndihmojë në parandalimin e dobësimit të kockave.
Proteina lidhet ngushtë me shëndetin e kockave, pasi ndihmon përthithjen e kalciumit – element kyç për forcën e tyre – duke ulur rrezikun e thyerjeve nga rrëzimet në moshë të shtyrë.
Çfarë tregoi studimi?
Studimi krahasoi efektet e qumështit të lopës dhe qumështit të sojës si burime të thjeshta proteinash pas ushtrimeve. Në të morën pjesë 82 të rritur të shëndetshëm, 60 vjeç e lart, pa probleme mjekësore që do të ndikonin në marrjen e proteinave.
Të gjithë pjesëmarrësit ndoqën një program ushtrimesh tetëjavore, me tre seanca në javë që përfshinin ushtrime force dhe ekuilibri. Më pas ata u ndanë në katër grupe:
Vetëm ushtrime
Ushtrime + edukim ushqimor
Ushtrime + edukim ushqimor + qumësht lope
Ushtrime + edukim ushqimor + qumësht soje

Dy grupet e para nuk bënë ndryshime në dietë. Pjesëmarrësit në grupin e qumështit të lopës pinin 240 ml qumësht me pak yndyrë 30–60 minuta pas ushtrimeve. Ata që pinin qumësht soje merrnin sasi pak më të vogël, në mënyrë që të dy grupet të përfitonin rreth 7–8 gramë proteina për seancë. Të dy grupet konsumonin edhe 60 gramë patate të ëmbël të zier pas çdo stërvitjeje, për të balancuar proteinat me karbohidrate.
Seancat javore të edukimit ushqimor fokusoheshin në ushqyerje të shëndetshme, marrje të mjaftueshme proteinash, shëndet oral dhe parandalim dëmtimesh.
Rezultatet kryesore
Pas tetë javësh, të gjitha grupet treguan përmirësim të ndjeshëm në shpejtësinë e ecjes, duke konfirmuar se ushtrimet e rregullta përmirësojnë lëvizshmërinë. Ata që ushtruan pa ndryshuar dietën patën gjithashtu përmirësime në forcën e kapjes së dorës dhe në kalimin nga ulur në këmbë, çka tregon rritje të funksionit neuromuskular.
Megjithatë, përmirësimet më të mëdha u vunë re te pjesëmarrësit që pinin qumësht lope pas ushtrimeve dhe merrnin pjesë në klasat ushqimore. Ata shfaqën rritje të ndjeshme të forcës së duarve, përmirësim në testin e ngritjes dhe uljes nga karrigia (pesë herë radhazi) dhe shpejtësi më të madhe ecjeje në një distancë prej gjashtë metrash.
Sipas studiuesve, kjo tregon se kombinimi i ushtrimeve me qumësht është më i dobishëm për funksionin muskulor sesa kombinimi me qumësht soje. Vlen të theksohet se vetëm edukimi ushqimor, pa ndryshime reale në dietë, nuk solli rezultate të krahasueshme.
Në përfundim, studiuesit theksuan se bashkimi i ushtrimeve të rezistencës me konsumimin e menjëhershëm pas stërvitjes të ushqimeve të pasura me proteina – veçanërisht qumështi – mund të përmirësojë shëndetin e kockave dhe funksionin fizik te të moshuarit që jetojnë në komunitet. Ata pranuan gjithashtu se studimi ka kufizime, përfshirë kohëzgjatjen relativisht të shkurtër.
Çfarë është osteoporoza dhe si parandalohet?
Hollimi i kockave diagnostikohet me skanimin DEXA, i cili mat sasinë e mineraleve në kocka (kryesisht kalcium). Një rezultat 0 konsiderohet normal; nga -1 deri në -2.5 tregon osteopeni, ndërsa nën -2.5 klasifikohet si osteoporozë.
Osteoporoza zhvillohet ngadalë dhe shpesh zbulohet vetëm pas një frakture. Trajtimi përfshin medikamente për forcimin e kockave, por ushtrimet e rregullta, ushqyerja e shëndetshme, marrja e vitaminës D, ndërprerja e duhanit dhe kufizimi i alkoolit luajnë gjithashtu rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të kockave. /GazetaExpress/