Barcelona është përballur me një sërë problemesh dëmtimesh këtë sezon, dhe asnjëri prej tyre nuk ka qenë më i bujshëm se ai i Lamine Yamalit.
18-vjeçari pësoi fillimisht një dëmtim në ije në shtator dhe, megjithëse tani është afër rikthimit 100%, ai është tërhequr me këtë problem për gati tre muaj.
Lamine Yamali u rikthye nga grumbullimi me Spanjën në shtator me pubalgji, gjë që e detyroi të humbiste ndeshjet kundër Valencias, Neëcastle United, Getafe dhe Real Oviedo.
Ai u rikthye kundër Real Sociedad, por pasi luajti ndaj tyre dhe Paris Saint-Germain brenda pak ditësh, dëmtimi u rikthye sërish.
Kjo ka bërë që ai të humbasë katër ndeshjet e fundit të Spanjës, gjë që ka shkaktuar tensione mes Barcelonës dhe Federatës Spanjolle të Futbollit.
Tani është zbuluar se Lamine Yamali nuk ka qenë aspak i kënaqur me mënyrën se si klubi ka trajtuar rikuperimin e tij.
Sipas “The Athletic”, Lamine Yamali është ankuar te Barcelona gjatë pauzës së tetorit, duke e bërë të qartë se nuk ishte i lumtur me mënyrën se si ishte menaxhuar procesi i tij i rikuperimit nga departamenti mjekësor i klubit, i drejtuar nga Julio Tous.
Dëmtimi i Lamine Yamal është një nga 12 dëmtimet te lojtarët e ekipit të parë këtë sezon – krahasimisht, kishte vetëm tetë raste në këtë fazë të sezonit 2024-25.
Adoleshenti kërkoi të trajtohej nga anëtarë të tjerë të stafit të klubit, kërkesë që iu pranua – dhe në javët që pasuan, Flick ka vendosur të rikthejë mënyrat që përdori gjatë sezonit të tij debutues në Katalonjë, teksa kërkon të gjejë zgjidhje.
Barcelona është ndikuar dukshëm nga dëmtimet e lojtarëve kyç, përfshirë Joan Garcia, Pedri dhe Raphinha.
Ata shpresojnë që ndryshimet e bëra t’i japin fund problemeve të tyre, dhe javët e ardhshme do të tregojnë nëse kjo do të rezultojë e vërtetë./GazetaExpress/