Vdiq Ismail Berisha, personalitet i shquar i hendbollit kosovar - Gazeta Express
string(62) "vdiq-ismail-berisha-personalitet-i-shquar-i-hendbollit-kosovar"

Sporte tjera

Gazeta Express

14/08/2025 15:26

Vdiq Ismail Berisha, personalitet i shquar i hendbollit kosovar

Sporte tjera

Gazeta Express

14/08/2025 15:26

Ka ndërruar jetë profesori Ismail Berisha, personaliteti i shquar i hendbollit kosovar.

I lindur në vitin 1934, profesori Berisha ka kontribuar shumë për hendbollin kosovar për shumë e shumë dekada.

Pos kontributit si profesor i Edukatës Fizike, Berisha ishte gjithnjë pjesë e klubeve dhe aktiviteteve të hendbollit.

Ishte prej themeluesve të KH Vëllaznimit, për të cilën skuadër luajti shumë vjet. Në vitin 1959 si lojtar e si trajner e udhëhoqi Vëllaznimin në kampionatin e parë. E ka udhëhequr skuadrën gjakovare drejt trofeve të shumtë, ndërsa ishte prej iniciatorëve edhe për themelimin e klubit të hendbollit të vajzave Vëllaznimi e më pas edhe të KHF Shqiponja. Ka punuar edhe te KH Deçani.

Një personalitet i respektuar nga të gjithë dhe punëtor i palodhshëm, profesor Berisha ishte edhe selektor i Kosovës dhe trajner i grupmoshave të reja.

Ishte edhe në këshille profesionale në nivelin e dikurshëm federativ dhe në nivel të Kosovës, e po ashtu kryetar i Shoqatës së Trajnerëve.

I ndjeri ishte autor i shumë librave dhe po ashtu ishte nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme për kontributin e madh në sport dhe edukim fizik.

Në emër të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe komunitetit të hendbollit në vendin tonë, presidenti Edin Kolgeci i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Berisha.