M-Technologie e do titullin e kampionit dhe Evropën - Gazeta Express
string(51) "m-technologie-e-do-titullin-e-kampionit-dhe-evropen"

Sporte tjera

Moral Pozhegu

12/02/2021 14:27

M-Technologie e do titullin e kampionit dhe Evropën

Sporte tjera

Moral Pozhegu

12/02/2021 14:27

Skuadra prishtinase e volejbollit po përgatitet për pjesën e dytë të sezonit, ku synon të jetë e suksesshme, duke e mbrojtur titullin e kampionit dhe për ta siguruar pjesëmarrjen në garat evropiane

Klubi i volejbollit M-Technologie ka aspirata të mëdha në pjesën e dytë të sezonit.

Skuadra prishtinase i ka nisur përgatitjet në fillim të muajit janar dhe është e gatshme për ta përsëritur suksesin e vitit të kaluar.

Volejbollistet kryeqytetase synojnë ta mbrojnë titullin e kampionit dhe më pas të luajnë në garat evropiane.

Trajneri Naser Krasniqi flet për fazën përgatitore, gjendjen e ekipit dhe për fillimin e stinorit pranveror.

Aktualisht, skuadra prishtinase po ushtron në sallën e Shkollës Fillore “Xhemajl Mustafa” në Prishtinë.

Gjithashtu, Krasniqi i zuri në gojë edhe synimet e kryeqytetaseve, të cilat dukeshin mjaft të motivuara.

Pandemia e ka prekur krejt botën e sportit, ndërsa Krasniqi shprehet se klubi i tij është dëmtuar më së shumti në Kosovë.

Por, falë donatorit dhe sponsorit kryesor, ky klub po ia del mbanë.

Kompaninë M-Technologie ai e konsideron si faktorin kryesor dhe çelësin e sukseseve të ekipit.

Ekipin në parket e udhëheq kapitenia Shqipe Kqiku.

Ajo e ka një bagazh të madh në këtë sport, ndërsa karrierën e ka të mbuluar me suksese.

Tash, Kqiku synon ta fitojë titullin e radhës në karrierën e saj, e cila po shkon drejt fundit.

Në skuadrën prishtinase në dy vitet e fundit luan edhe përfaqësuesja kubaneze, Anet Alfonso.

Ajo është njëra prej volejbollisteve më të mira në Kosovë.

Anet shprehet optimiste se M-Technologie do të buzëqeshë në fund.

“Jemi në përgatitje për kampionat dhe përgatitjet po shkojnë mjaft mirë. Synojmë rezultate të mira, si në sezonin e kaluar. Shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë dhe të bëhemi kampionë edhe në këtë vit të ri”.

Skuadrës kosovare këtë sezon i është bashkuara edhe volejbollistja turke, Ipek Kardelan.

Ajo ishte pjesë e Superligës turke para se të vinte në Kosovë.

Tash, volejbollistja kualitative po mundohet t’i ndihmojë shoqet drejt arritjes së objektivave.

“Në pjesën e dytë të sezonit pritjet janë të bëhemi kampione. I besoj ekipit dhe besoj se do t’ia dalim. Donim të bëheshim kampione edhe në pjesën e parë të sezonit, por i patëm disa fatkeqësi, pastaj ishte pandemia dhe nuk ia dolëm. Por, në pjesën e dytë të sezonit do të bëhemi kampione”.

Volejbollistja turke ndërkohë i shfaqi përshtypjet e saja edhe për vendin tonë.

“Kosova më ka pëlqyer shumë. Madje, kam thënë sikur të jetoja këtu sepse është vend i bukur dhe njerëzit janë shumë të mirë”.

Krahas lojtareve me përvojë, tek M-Technologie luan edhe super-talentja kosovare, Amela Llugaliu.

Ajo nuk i ka mbushur ende 16 vjet, por ky është sezoni i saj i dytë në ekipin senior.

Një volejbolliste mjaft premtuese, e cila beson në suksesin e skuadrës edhe këtë sezon.

M-Technologie e mbylli pjesën e parë të sezonit si nënkampione.

Por, ekipi prishtinas ka besim të madh se në fund do të ngre lart trofeun e titullit të kampionit.

Pjesa e dytë e sezonit në Superligën e femrave në volejboll fillon këtë fundjavë. /Gazeta Express/

Advertisement
Advertisement
Advertisement