Dosja- 'Ndragheta'/ Përgjimet për kulla, gradaçela e 20% ryshfet, çfarë ka në 1600 faqet që tronditën politikën shqiptare - Gazeta Express
string(114) "dosja-ndragheta-pergjimet-per-kulla-gradacela-e-20-ryshfet-cfare-ka-ne-1600-faqet-qe-tronditen-politiken-shqiptare"

Shqiperi

Gazeta Express

24/01/2021 14:54

Dosja- ‘Ndragheta’/ Përgjimet për kulla, gradaçela e 20% ryshfet, çfarë ka në 1600 faqet që tronditën politikën shqiptare

Shqiperi

Gazeta Express

24/01/2021 14:54

Antonio Gallo, Tomasso Brutto, Saverio Brutto, Francesko Talarico, Ercole D’Alessandro dhe Lorenzo Cesa. Grupi i Ndragheta-s në një dosje voluminoze me 1600 faqe përgjime, ku vendin kryesor e zë aktiviteti në Shqipëri. Rolet e secilit dhe implikimi i zyrtarëve shqiptarë. Pse nuk ka reaguar kryeministri Edi Rama? Po SPAK?

“Profil i ulët” përtej Adriatikut por korrupsion në nivel ministrash dhe zyrtarësh të lartë në Shqipëri.

Lexo Edhe:

Një operacion i gjerë, më i madhi i viteve të fundit në Itali, provon ndërhyrjet e klanit mafioz Ndragheta edhe në Shqipëri. Jo më me çanta me kanabis mbi shpinë, por me investime, pastrim parash dhe të “preferuarat” e viteve të fundit…kullat.

Kush është prokurori i hekurt që hetoi për vite me radhë grupin? Dosja.al sjell gjithçka që duhet të dini për dosjen që ka tronditur politikën shqiptare.

Tri ditë dhe asnjë reagim nga kryeministri Edi Rama dhe SPAK. A do të verifikohet ndërhyrja e Princit në Shqipëri?

Operacioni “Profili i ulët”

Të enjten, (21 janar), një operacion i gjerë Anti-Mafia u finalizua duke arrestuar 81 persona, mes tyre edhe 9 shqiptarë. Anëtarët e grupit janë me lidhje me grupin mafioz Ndragheta, një nga familjet kriminale që vepron në Kalabrinë jugore. 30 persona u dërguan në burg, ndërsa 35 u vunë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”. 

Autoritetet italiane njoftuan se mes të arrestuarve ka biznesmenë, punonjës të administratës dhe politikanë. Anëtarët e grupit të mafias i përkasin disa ‘klaneve’, si Aracri, Arena Grande Aracri, të vendosura në provincën e Crotones. Të arrestuarit akuzohen për lidhje me mafian, bashkëpunim me mafian, blerje votash, dhe të tjera krime që lidhen me mafian.

Mbi 300 milionë euro asete iu sekuestruan të dyshuarve, ndërsa operacioni konsiderohet një nga më të mëdhenjtë e zhvilluar në vitet e fundit në Itali. Hetuesit kanë sekuestruar asete, llogari bankare, pasuri të patundshme, makina dhe sende luksi. 

Njihuni me prokurorin e “hekurt”, kush Nicola Gratteri, njeriu që i ka hapur luftë mafias kalabreze në Itali?

Nicola Gratteri

Nicola Gratteri, drejtuesi i Prokurorisë së Katanzaros udhëhoqi hetimin dhe operacionin ku morën pjesë më shumë se 370 policë të disa vendeve, Drejtoria e Hetimit të Antimafias Italiane dhe Guardia di Finanzia. Gratteri, 62 vjeç është i vendosur për të goditur klanin Ndragheta. 

Pas disa vitesh hetimi, mijëra provave dhe qindra të dyshuarve, Gratteri shprehej para operacionit se është në luftë për një betejë historike kundër klanit Ndragheta. Gratteri ka më shumë se 3 dekada që është vënë në mbrojtjen e policisë për shkak të kërcënimeve, ndërsa ka si objektiv të vendosë pas hekurave më shumë se 450 të dyshuar, anëtarë të klanit, pasi i akuzon për trafik droge, pastrim parash, hakmarrje dhe rrëmbim. 

“Është një luftë“,-i tha prokurori shkurt AFP, në mbyllje të operacionit. “Kësaj here me siguri, do të kemi një lidhje direkte mes Ndragheta-s, biznesmenëve dhe politikës”,-shtoi ai. Ndërsa në një konferencë me gazetarët sqaroi se secili nga të arrestuarit, kishte dijeni për atë që po bënte. “Punonjësit e shtetit dhe biznesmenët e përfshirë kanë qenë të vetëdijshëm se po bënin një pakt me një nga përfaqësuesit e familjes mafioze“.-theksoi ai. 

Kush janë shqiptarët e arrestuar?Të arrestuarit janë italianë dhe 9 shqiptarë. Shqiptarët e përfshirë në grupin Ndragheta janë: Henrik Baçi, Edmond Baçi, Bilar Hoxha, Odeta Hasaj, Alban Keta, Bledar Koçi, Memlin Voci, Genti Hasaj, Alketa Hyseni. Shqiptarët akuzohen nga anti-mafia italiane se kanë bashkëpunuar me grupin duke i lehtësuar futjen në biznes në Shqipëri. Por kush janë kryesorët e grupit?Antonio Gallo– Sipërmarrësi Antonio Gallo është emri kryesor i grupit. I njohur edhe si “Princi” i grupit Ndragheta, ai është personi kryesor që lidhte Ndraghetan me politikën e lartë. Gjatë kontrollit të tij në banesë, policia gjeti dhjetëra miliona euro kesh, të cilat u numëruan për më shumë se 24 orë. 

Antonio Gallo është përcaktuar nga vetë ‘të mëdhenjtë’ si “karta e egër” e Ndraghetas, që kishte për rol të siguronte njohje me politikën dhe të pastronte para. Ai është emri që hyri dhe investoi në Shqipëri përmes Gallo Albania, ndërsa zhvilloi bisedime me disa persona për të ndërtuar kulla dhe marrë PPP. Në këtë skemë, ai ndihmohet nga disa persona, Tomasso dhe Saverio Brutto, babë e bir, një sekser që ka qenë ish-polic, Ercole D’Alessandro, i cili i garanton futjen në Shqipëri, një komisioner Francesko Talarico, që bën njohjen me eurodeputetin që sipas grupit kishte ndikim tek ministrat në Shqipëri, Lorenzo Cesa.

Princi Antonio Gallo

Tomasso Brutto, një ish-këshilltar në Catanzaro hyn në skemë fillimisht me vetëm një problem, ti gjejë punë të birit. Puna e tij nis me spiunimin e operacioneve policore përmes burimeve që pretendonte se kishte tek Ndragheta. Për këtë ai kishte si njohje ish-oficerin e GDF, Ercole D’Alessandro.

Tomasso dhe Saverio Brutto, babe e bir

Djali i tij është Saverio Brutto, këshilltar për Turizmin në Simeri Chiri. Por ai aspiron për më shumë sesa një punë në aeroport. Prandaj i ati kërkon më shumë. “Është një punë e dhjerë. Ata i japin 900 euro në muaj, ata që punojnë në aeroporte, po ngrodhin urie. Pse? Ata i paguajnë pak”.-i thotë Tomasso Brutto, mikut të tij, komisionerit Franco Talarico, një emër me të cilin do të ndalemi më poshtë. Talarico i thotë: Ai punon vetëm 30 orë… Por Brutto vjen me një propozim: S’është punë për djalin tim. Është një vend në Parlamentin Evropian. Nëse ti punësohesh në PE, ata s’të heqin më kurrë prej atje, ata harrojnë. 

Dhe këtu nis ndërmjetësimi dhe njohja me eurodeputetin Cesa, të cilit nuk i kërkon vetëm punë për të birin, por edhe ‘ndërhyrje sekseri’ për Princin, Antonio Gallo, i cili kërkonte të hynte në Shqipëri. Më 22 qershor 2017, Gallo, Tomasso dhe Saverio Brutto dhe “financieri” i tyre, Ercole D’Alessandro hynë në tregun shqiptar.

Pasi nisën kompaninë e parë, Tomasso Brutto u sigurua nga miku i tij, Talarico se eurodeputeti do ta ndihmojë edhe për të marrë në dorë furnizimin e spitaleve për Gallon. Ercole D’Alessandro, ish-oficeri i GDF u njoh me Ndragheta-n përmes Tomasso Bruttos. Ai punësoi të birin në kompaninë Gallo në Shqipëri, siguroi lajme mbi gjendjen e hetimit të quajtur “Borderland”, duke iu kërkuar edhe kolegëve në hetim që të mbronte interesat e Antonio Gallos, i cili njihej për rolin e tij në Ndragheta.

Ai prezantohej tek grupi si një person me njohje në rang ministrash dhe qeveritarësh shumë të lartë në Shqipëri. Francesco Talarico- Sekretari rajonal i UDC në Kalabri bashkë me Tomasso Brutto dhe Saverio Brutton, kishin për funksion të ndihmonin Antonio Gallon me kontakte të shumta me politikën, dhe fitimin e kontratave të majme, për të cilat, ata do të merrnin si komision 5% të fitimeve. 

Franco Talarico

Lorenzo Cesa, eurodeputeti me ndikim edhe në Shqipëri

Lorenco Cesa

Lorenzo Cesa, eurodeputeti i UDC, dhe një nga emrat ku kryeministri Xhuzepe Conte ishte mbështetur për zgjedhjet në Itali, rezulton në përgjime si çelësi kyç që do të hapte derën e mafias kalabreze në Shqipëri. Në dosjen e anti-mafias, ai nuk rezulton kurrë me zërin e tij, pasi hetuesit e kanë patur të pamundur të përgjojnë një eurodeputet, por prokurori Nicola Gratteri, garanton  se ka mundur që të provohet takimi i tij me Antonio Gallon dhe Tomasso Brutton. Në përgjime, zbulohet biseda, ku Tomasso Brutto, Francesko Talarino, garantojnë Antonio Gallon se eurodeputeti ka lidhje në Shqipëri dhe me 20% mund të merrej leja e ndërtimit. Interesi i tij? Mafia kalabreze ishte përfshirë edhe në shitblerjen e votave. Eurodeputeti ka dhënë dorëheqjen pas daljes së këtyre përgjimeve dhe ka deklaruar se nuk ka lidhje me to.

Kapitulli ‘Shqipëria’, mafia kalabreze shtriu rrënjët në Tiranë, përgjimet që mund të djegin ‘koka’!

Një dosje voluminoze me 1600 faqe përgjime, ku afera kryesore që provon lidhjet e grupit Ndragheta me politikanët italianë dhe eurodeputetin Lorenzo Ceza, është Shqipëria. Vendi ynë është miniera e arit që është gjetur nga grupi për të investuar, falë njohjeve të eurodeputetit Lorenzo Cesa, bashkëpunimit me sekserin e Guardia di Finanza dhe korruptimin e krerëve kryesorë të shtetit shqiptarë. Në këto përgjime, një pjesë e tyre të zbardhura tashmë në media, Antonio Gallo hyn në Shqipëri me kompaninë e tij Gallo Albania në vitin 2017. Paralelisht, grupi ka qenë në hetim në Itali. Prokurorët kanë regjistruar njërë bisedash implikuese për disa zyrtarë të lartë në Shqipëri. 

Biseda për Erion Veliajn dhe për “takimin” me avokatin Claudio Larussa

Erion Veliaj dhe Edi Rama

Ndragheta nuk e përmend me emër kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, por në bisedat e tyre, Antonio Gallo, Avokati i tij, Antonio Speziali dhe Claudio Larussa (avokat), përfaqësues i Tomaso Bruttos, aludojnë se kanë një person shumë pranë kryebashkiakut i cili mund ti ndihmojë për të marrë leje ndërtimi, ndërsa Larussa, tregon se ka takuar Veliajn, i cili i ka rrëfyer se çmimi për një metër katror shkon deri në 2-3 mijë euro në qendër të Tiranës. Kryebashkiaku i Tiranës i ka quajtur shpifje para fushate akuzat, ndërsa ka paralajmëruar me padi për shpifje, ish-deputeten e Partisë Demokratike, Grida Duma. Biseda është përgjuar më 28 tetor 2017, dhe vijon si më poshtë:

Antonio Gallo: Ai është shqiptar është President i këtij grupi atje në Shqipëri.

Antonio Speziali: Dhe në spitale mund të punohet…

Antonio Gallo: Nuk e di por ai është President i Sol në Shqipëri, të gjithtë spitalet, është pranë Kryeministrit, pranë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, është një njeri i rëndësishëm..

Antonio Speziali: Ka shkuar Claudio (Larussa) atje me kryetarin e Bashkisë së Tiranës..

Antonio Gallo: Po ka shkuar.

Tomasso Brutto: Si një muaj… një muaj

Antonio Speziali: Më thuaj, në Shqipëri, unë vërtet i kam impiantet por jam pak skeptik ti çoj… nëse i marrim e t’i çoj është mirë për mua… por jo që të ma hedhin… duhet dërguar personi i duhur.

(Flasin për një person me emrin Nik, shtetas shqiptar.)

Antonio Gallo: Atëherë kam folur me këtë mikun tim Nik, që më ka thënë se tipi që mori tri licenca për të ndërtuar në Tiranë… ka tri licenca në duar e për 180 milionë që duan, për të bërë ka 10 milionë.

Antonio  Speziali: Realitet..

Gallo: Kërkojnë financierë më tha… gjejnë  një sipërmarrës që është mirë e banka e financon…

Antonio Speziali:Apartamentet…

Antonio Gallo:Apartamentet. Ky ka në duar tri licenca gradaçelash, ky kostruktori.

Antonio Speziali:  4000 euro jo… 2700-2800 euro.

Tomasso Brutto:Për atë Perëndi….në qendër të Tiranës?

Antonio Gallo:Në gradaçelat e reja shiten 3800-4000 euro për metër katrorë e kosto e di sa është kosto e vërtet? 510 euro.

Antonio Speziali: Po nëse e bën diçka luksoze..

Tomasso Brutto: A mund të flasim me këtë Nikun?

Antonio Gallo: Nëse je në Romë më 9 nëntor vjen… është Presidenti i Grupit Sol në Shqipëri…… i oksigjenit, ka lidhje me spitalet , me Enel, me të gjitha ka lidhje …e ma tha qartë se tenderat duan 20% -shin më tha….. por mund ta paguajnë ata (i referohet Nik). 

Biseda për Presidentin Ilir Meta dhe këshilltarin e tij Ilir Kulla

Ilir Meta dhe Ilir Kulla

Përgjimet e anti-mafias Italiane përfshijnë edhe presidencën shqiptare. Teksa princi i Ndragheta-s, Antonio Gallo po debatonte me ish-policin e Guardia di Finanza, Ercole D’Alessandro, i cili i kishte garantuar korruptimin e ministrave në Shqipëri, “sekseri” iu mburr se do e prezantonte edhe me presidentin e Shqipërisë, mjafton që nga biznesi të largoheshin Tomasso dhe Saverio Brutto.  “Së pari, siç ju thashë një ditë më parë, nuk e bëra, nuk erdha tek ju për t’ju kërkuar, por ju erdhët tek unë! dhe unë nëpërmjet BRUTTO! Ju mbështesim, po bëj çfarë duhet të bëj….por nuk dua që të tjerët të dinë se çfarë po bëj … ju vetëm duhet të dini se çfarë po bëj, sepse nëse një ditë ju prezantoj me Presidentin e Republikës së Shqiptarëve, do ta prezantoj me ju, por nuk do t’ia prezantoj Tommaso Bruttos apo Saverio Bruttos…,”- është thënë në bisedë nga D’Alessandro.

Më tej, ai përmend edhe një takim me këshilltarin e Presidentin Ilir Meta, Ilir Kulla, kur presidenti ka shkuar në Romë. Sipas ish-policit të GDF, biseda lidhej me ndërmjetësimin e një takimi me prokurorin Cafier De Raho. 

Tani që jemi atje, më të vërtetë, më ka telefonuar Kulla… është presidenti.  Ky, Ilir Kulla, Këshilltar i Presidentit te Shqipërisë… Mund të informohesh… Në Itali me Presidentin, mbërrijnë në Romë. Në këto momente po i marr një takim me ke?” Me Cafier De Rahon. Do të takohet me Cafier De Raho. E kupton? Por sinqerisht, të shkosh dhe të punosh për Tomasso Brutton… jo”-thotë Ercole D’Alessandro në bisedë me Antonio Gallon, për ta bindur që të heqë Brutton nga biznesi e të vijojë vetëm me të. Presidenti Ilir Meta reagoi dje për këtë çështje dhe kërkoi një hetim të plotë nga SPAK, ndërsa këshilltari i tij, Ilir Kulla mohoi ashpër përmendjen e emrit të tij në dosjen e përgjimeve. 

Biseda për ‘Nikun’, biznesmeni që premton leje për Grataçela…PPP për 30 – 50 vite…

Besnik Halili, Luneda Sufali dhe tenderat e fituar

Në përgjimet e datës 19 shkurt 2018, ora 14:40, sipërmarrësi Antonio Gallo, djali i Tomasso Bruttos, Saverio dhe NIK, bisedojnë për investimet në Shqipëri. NIK në përgjime del se është një njeri me shumë influencë pranë qeverisë, president i grupit Sol, ka në dorë monopolin e oksigjenit në spitale dhe mund të ndihmojë grupin të zgjerohet. Raportohet se emri përkon me atë të Besnik Halilit, bashkëshorit të Luneda Sufalit, ish-drejtoresha e Lojërave të Fatit. Deri më tani, nuk ka asnjë reagim, apo përgënjeshtrim nga ana e tij. Në këto përgjime, NIK premton leje ndërtimi për gradaçela me vlerë 10 milionë euro kostoja e materialeve të ndërtimit, dhe Ndragheta italiane do t’i jepte dy kate të godinës. Ndërsa në një tjetër bisedë, ai kërkon që Ndragheta të “ndihmojë” me likujditet disa biznesmenë shqiptarë që kanë leje për të ndërtuar kulla, por nuk kanë likujditet, pasi as banka nuk iu jep më kredi. 

Biseda e përgjuar nga Anti-mafia Italiane: 

Nik: Çemento… ai merret me ndërtim?

Saverio Brutto: Po..

Antonio Gallo: Po e bën CALME cemento (i referohet sipërmarrësit Antonio Speziali)… Merr tendera… është një i fuqishëm… kur do vish në Romë ti?

Nik: Punime bën? Apo..

Antonio Gallo: Prodhon e bën punime…

Nik: Në kuptimin që a bën autostrada..

Antonio Gallo: I bën të dyja…

Nik: Apo shet vetëm materiale?

Antonio Gallo: Shet materiale

Saverio Brutto: Shet materiale

Antonio Gallo: E ndërton gjithashtu..

Nik: Nëse shet vetëm materiale nuk di sa hapësirë mund të gjej e them, se janë dy tre fabrika çemento këtu që kanë esksluzivitetin se kujt t’i shesin, kanë bërë një monopol… kanë gurore… i kanë ata..

Saverio BruttoI pashë sot… çfarë rastësie… kur po uleshim me avion pashë dy gurore të mëdha…

Nik: …Dhjetë gurore… por nuk është e thënë se nuk bëhet… Njëri mund të merret me çemento…. tjetri me guroren meqë janë keq… sillet impianti… e bëhesh pjesëtar… por nëse ai ka aftësitë e garat… në sensin pra që bën punime me çelësa në dorë… atëherë është më mirë … pasi arrihet vërtetë… rrugët.. punoni bashkë…

Antonio Gallo: Bën dhe këtë…. herës tjetër kur të vijmë…

Nik: Nja dy tendera…

Antonio Gallo: Janë? Kur skadojnë?

Nik: Duhet të dalin tani 60-100 milionë euro…. varet se në çfarë gjëndje je me financimet..

Antonio Gallo: Po këta janë mirë..

Nik: … Nëse janë mirë ka gjë tjetër për të bërë..

Antonio Gallo: Grataçelat më the…

Nik: Po si grataçelat dhe dy koncesione… një e bënë … duhet të bëjnë një tjetër PPP… autostrade… koncesione për 30 vite 50 vite…

Antonio Gallo:… Jo po është një tjetër mik që… Janë disa persona… është një mik që ka fonde ( me qëllim investimi Larussa -Gallo në Shqipëri)

Saverio Brutto:… Çfarë ka?

Antonio Gallo: Fonde…

Datë 19 shkurt 2018, ora 14.42. biseda kohëzgjatja 5 minuta. faqja 643

Sipërmarrësit Antonio Gallo, Saverio Brutto e Nik gjenden në Shqipëri.

Nik: Grateçela…. materialet e ndërtimit jua jap unë … kushtojnë 10 milionë… 10 milionë e më jep dy kate e lahemi kështu. Merren dy kate në një gratacelë e shiten pas dy o tre vitesh… me dyfishin e shumës… varet sa personi është…

Antonio Gallo: I fortë….

Nik: Varet sa garanci financiare ka brenda…

Antonio Gallo pyet Nik nëse është më mirë të kenë një figurë mashkulli o femre..

Nik: Eshtë më mirë një femër që ka atributetet… e rrëfen episodon e një gruaje që i ka kërkuar punë..

Antonio Gallo: Sa është rruga mujore ?

Nik: 400-500 euro në muaj për një djalë të ri e që varet dhe nga përqindjet..
Së bashku llogarisin shpenzimet mujore me një qera 2000 euro për të fituar 30 000 në muaj.

Biseda datë 29 nëntor 2017 ora 18.08.33 kohëzgjatja 5 minuta.09

Vendodhja në Romë

Bashkëbiseduesit avokati Claudio Larussa e sipërmarrësi Antonio Gallo.

Objekt i bisedës hetimet e Guardia di Finanza ndaj bizneseve të Antonio Gallo. Nga minuta 3.10 biseda përqëndrohet tek bizneset në Shqipëri dhe flet dhe për Nik.

Antonio Gallo: … E kjo është në rregull… Në Shqipëri si po ecën?

Claudio Larussa: …Nuk mundëm të flisnim në kohë me këtë… isha vetëm…

Antonio Gallo: Por të mora kur isha … po ti nuk m’u përgjigje…

Claudio Larussa: Eh por nuk arritëm në kohë… bëm gjithçka… herës tjetër që do të shkojmë do të marrim në telefon e do takojmë…. është i mirë ky… (i referohet NIK shqiptarit)..

Antonio Gallo:… Po të thashë … ka kompaninë e pestë në Itali Fumagalli Sol ( Sol group)…. atë të oksigjeni… nuk është një leckaman…

Claudio Larussa: E ai është Presidenti?

Antonio Gallo: I Grupit Shqipëria, furnizon Shqipërinë, Msqedoninë… është President i gjithë grupit jo administrator…

Claudio Larussa: E ka raporte ka raporte…

Antonio Gallo: Me kryetarin e Bashkisë dhe me qeverinë…

Claudio Larussa: e ti tani kur do të shkosh?

Antonio Gallo: Në janar dua të shkoj… jo më parë …në janar them..

Claudio Larussa: Në janar flitet tani,..

Antonio Gallo:…po

Claudio Larussa: Edhe për mua … nuk ja dal dot tani… koha fluturon .. jemi afër krishtlindjeve…
……
Antonio Gallo: Unë i kam shpjegur Toto (i referehet Antonino Speziali sipërmarrës ) se kemi folur me NIK e më ka shpjeguar një seri situatash… në Tiranë ka një problem të thellë… janë disa sipërmarrës të fuqishëm që kanë licencë për të ndërtuar grataçela në qëndër… e banka nuk i financon më…. e nuk kanë të gjithë likuiditetin për të ndërtuar e kërkojnë ortakë për të bërë këtë operacion… atje merren katër, pesë mijë euro për emër …ose gjashtë mijë….

Claudio Larussa:… Interesante kjo…

Antonio Gallo: Nik më tha… e Saverio (Saverio Brutto) dëshiroj të investoj, kërkon të hyjë në ortakeri…

Claudio Larussa: Jo duhet të bëjmë një fond.. një Fond siç e kam unë …..

Në skenë del edhe Ministri që hoqi dorë nga paratë e Ndraghetas

Foto ilustruese

Një tjetër episod që zbulohet në dosjen e përgjimeve të Anti-Mafias italiane është një ministër i qeverisë Rama në vitin 2017, i cili sipas përgjimeve, ka hequr dorë nga detyra. Biseda zhvillohet mes Francesko Talaricos dhe Princit të Ndraghetës. Teksa i tregon Antonio Gallos për ndikimin e Lorenzo Cesës në Shqipëri, Talarico thotë: Ai është i sigurt, si një parlamentar evropian ai mund të krijojë kontakte të mira drejtpërdrejt me parlamentarët evropianë. Një ministër në Shqipëri ka hequr dorë nga ai…korrupsioni, korrupsioni. Emri i ministrit ende nuk është bërë i ditur, megjithëse në rrjetet sociale kanë nisur aludimet për përfshirje të disa emrave të kabinetit Rama. Ndërsa në një tjetër bisedë, Ercole D’Alessandro i cili prezantohet tek grupi si njohës i mirë i terrenit shqiptar, më 24 prill 2017, siguron Princin se mjafton rryshfeti.  “Duhet të paguash e të paguash një person të vetëm e në nivel Ministrie e vetëm tek njëri aman…” thotë ai në këtë bisedë.

Dosja e Ndraghetas është diskutuar deri më tani gjerësisht në rrjetet sociale dhe në mediat italiane, ndërsa opozita shqiptare dhe presidenti kërkojnë një hetim nga SPAK ku institucion nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar në lidhje me nisjen e hetimeve.