Mashtrimi si platformë politike - Gazeta Express
string(31) "mashtrimi-si-platforme-politike"

Mashtrimi si platformë politike

OP/ED

Gazeta Express

08/01/2021 20:36

Pa pikë turpi e përgjegjësie ata që kanë qeverisur ndër vite po thonë se shteti është në rrezik dhe ata qenkan shpëtimtarët. Të jesh në pushtet vite me ardhë, të kesh gjithçka në dorë, për mirë e për keq dhe të provosh tash t’ua mbyllësh njerëzve sytë, duke u shfaqur si prej ndonjë tjetër planeti, është e pandershme. Është poshtërsi.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Shkaktoi bujë një slogan i publikuar nga zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që lidhej me “mbetjen në lidhje” më 14 shkurt, në ditën kur është caktuar të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Më shumë se mungesë kreativiteti dhe një qasje defetiste ende pa filluar fushata, slogani nxori në pah një element të rëndësishëm, të cilit rëndom partitë i japin rëndësi sa herë vjen koha e zgjedhjeve.

Është lidhja me qytetarin, lidhja me votuesin që përnjëherë ngrihet në tjetër nivel sapo të caktohen zgjedhjet. Partitë politike bëjnë çmos që t’i riparojnë këto lidhje, në përpjekje për t’ua mbushur mendjen qytetarëve që t’ua besojnë votën. Në radhë të parë votuesve të vet tradicionalë dhe që i votojnë pa marrë parasysh çfarë premtojnë dhe, më pas, edhe të tjerëve që munden eventualisht t’i votojnë.

Tradicionalisht në Kosovë partitë politike kanë provuar të animojnë votuesit duke gënjyer, duke mashtruar, duke ofruar e premtuar gjëra të paqena. Tradiconalisht pjesa më e madhe e votuesve e kanë pranuar si të mirëqenë këtë raport, këtë mënyrë funksionimi.

Një dekadë është premtuar liberalizimi i vizave, që ende nuk ka ndodhur dhe nuk dihet nëse dhe kur do të ndodh. Me vite janë premtuar qindra-mijëra vende të reja pune, rritje e mirëqenies e jetë më e mirë. Me vite është premtuar përmirësim i sistemit arsimor e shëndetësor. Dhe, cili është rezultati? Sisteme të dobëta arsimore e shëndetësore, mungesë e vendeve të punës, krizë ekonomike e sciale.

Nga këto premtime kanë përfituar më së shumti politika, politikanët dhe njerëzit rreth tyre. Kanë përfituar ata që e kanë shfrytëzuar të qenit në politikë dhe afër politikës, duke zënë pozita publike, duke përfituar tenderë milionësh, duke gëzuar privilegje.

Tash, në vitin 2021, premtimet po riciklohen. Kandidatë për kryeministër dhe jo vetëm ata po sillen ndaj elektoratit, ndaj qytetarëve, thua se jetojnë në një tjetër planet, thua se nuk kanë jetuar këtu gjatë gjithë këto vite. Pa pikë trupi as përgjegëjsie, ata nuk ngurrojnë të premtojnë sërish, për të satën herë, gjëra të njëjta. Nuk ngurojnë t’i përsëritin rrenat e njëjta

* * *

Do të duhej të ishte qesharake, po të mos jetë e dhimbshme teksa dëgjon deklarata që vijnë nga ata që kanë pasur përgjegjësinë kryesore në vendimmarrje gjithë këto vite. Teksa dëgjon se si ata alarmojnë se shteti na qenka në rrezik të zhbërjes dhe duhet shpëtuar. Pra, deklarata të tilla bëjnë ata që gjatë gjithë kohës kanë qenë në pushtet, ata që kanë pasur përgjegjësi, ata që kanë pasur mundësi t’i ndërrojnë gjërat për mirë, por nuk e kanë bërë.

Të thuash se shteti është në rrezik dhe duhet votuar të njëjtët, që e kanë sjellë shtetin në situatë të tillë është e papërgjegjshme, për të mos thënë është poshtërsi. Të qeverisësh vite me ardhë, të kesh gjithçka në dorë, për mirë e për keq dhe të provosh tash t’ua mbyllësh njerëzve sytë, duke u shfaqur si prej tjetër planeti, është e pandershme. Është e turpshme.

Si presin t’iu besojnë qytetarët të tilla deklaratave, të tilla thirrjeve? Si presin që edhe njëherë t’i bëjnë qytetarët që t’iu besojnë premtimeve bosh, premtimeve që kanë mbetur të tilla tash sa vjet, premtimeve që nuk janë realizuar? Si presin që sërish qytetarët t’ua japim besimin të tillëve që nuk e kanë dert të premtojnë sërish të njëjtat gjëra, t’i ofrojnë si platformë zgjedhore sërish rrenat e njëjta, mashtrimet e njëjta?

Qytetarët e kanë rastin që më 14 shkurt të paktën të votojnë kundër rrenave dhe mashtrimeve, që janë kthyer në platforma zyrtare politike. E kanë rastin që të mos ua japin shansin atyre që rrenën e mashtrimin e kanë mënyrë jetese, mënyrë funksionimi.

Është e kuptueshme, një bazë solide militantësh, shkaku i përfitimeve që kanë pasur nga politika do të vazhdojnë t’i mbajnë me vota partitë që u kanë kryer punë. Por të tjerë, shumë më shumë se këta, e kanë rastin të bëjnë diferencën.

* * *

Lidhja me elektoratin, me votuesin ngjallet në prag zgjedhjesh. Pavarësisht se e kanë keqpërdorur votën e tyre, duke ndërmarrë veprime e lidhur koalicione aspak të moralshme politikisht, partitë synojnë sërish të marrin votën e pretenduar. Votuesit duhet të jenë aq të vetëdishëm sa votën e vet të mos e konsiderojnë veç si mjet për kusuritje elektorale, për të ngopur apetite shpesh edhe individuale. Jo domosdoshmërisht mund të mbetesh në lidhje me një parti të caktuar. Varet sa e madhe është poshtërsia e partisë karshi votës që ke dhënë.