Aleatë me varrmihësin e vet?! - Gazeta Express
string(27) "aleate-me-varrmihesin-e-vet"

Aleatë me varrmihësin e vet?!

Ermal Mulosmani

10/07/2020 15:29

Milan Kundera në romanin e tij “Pavdekësia” përshkruan një tip modern, me profesion jurist i cili realizonte  një emision radiofonik me titull “Ligj dhe Drejtësi”. Personazhi në fjalë, në të gjitha bisedat me kolegë mbronte trendin e kohës, marketingun, audiencën, tregun përkundrejt vlerave përmbajtësore dhe emisioneve dobiprurëse (siç ishte edhe i tij). Në reformën e parë që behet në radio, emisioni i tij hiqet nga lista e programeve të preferuara nga drejtuesit dhe ai mbetet papunë.

Një tip të tillë Kundera e quan “aleat me varrmihësin e vet”.

Lexo Edhe:

Surrogatët (zëvendësuesit) parlamentarë kanë ndërmarrë një iniciativë për t’u përgëzuar në pamje të parë. Ata propozojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, kalimin me lista të hapura. Ky është ndryshimi më i mirë i propozuar qysh nga viti 2008 kur Kryetarët e Partive privatizuan partitë dhe i kthyen listat e deputetëve në tender servilësh e nështruesish. Për këtë iniciativë, ata, kanë edhe mbështetjen më të madhe të mundshme edhe nga shoqëria civile.

Por këtu mbaron mbështetja nga populli dhe fillon hileja. Në këtë moment Murrizi shndërrohet në levën e Arkimedit për Edi Ramën duke propozuar ndalimin me Kushtetutë të koalicioneve parazgjedhore. Lidhja e listave të hapura me ndalimin e koalicioneve nuk ka asnjë bazë. Kosova ka treguar që koalicionet dhe listat e hapura funksionojnë pa asnjë problem.

Por qëllimi është krejt tjetërkund….

Të ndalosh koalicionet me Kushtetutë në vitin e fundit të qeverisjes do të thotë t’i japësh Partisë Socialiste mandatin e tretë përpara se të fillojnë zgjedhjet. Socialistët kanë fituar në zgjedhjet e fundit 306 mijë vota më shumë se Partia Demokratike e Lulzim Bashës. Logjikisht është e pamundur të rikuperohen kaq shumë vota në 4 vjet edhe pse korrupsioni, zullumi, arroganca qeverisëse ka qenë e jashtëzakonshme. Ky amendentament kushtetues i jep mandatin e Kryeministrit Edi Ramës dhe këtë e dinë të gjithë propozuesit.

Përtej këtij fakti, a është veprim i mirë ndalimi i koalicioneve parazgjedhore? Ka shumë mundësi të jetë pozitiv. Partitë e vogla, nga përvoja e deritanishme, janë gërryeset më të paskrupullta të pasurisë publike. Për çdo 2-3 mijë a më shumë vota të akumuluara në arkën e koalicionit, ato, nesër do të kërkojnë poste në administratë, llokma qeverisjeje që u garantojnë mundësi korrupsioni. Në këtë kuptim, largimi i të tilla partiçkave nga sistemi përmes ndalimit të koalicioneve (praktikisht është eleminim nga skena politike pasi votat e tyre shpërndahen mes të mëdhajave pa u thënë as faleminderit) duket si një qëllimmirë, për të larguar abuzimin dhe korrupsionin e të voglit. Një parti me dy-tre deputetë nuk mund të marrë 3 ministri e katër zëvendësa siç ka ndodhur në të shkuarën e as t’i bëjë presion Kryeministrit sa herë ky është në hall për votën e tyre.

Ajo që nuk shkon në këtë nismë është hipokrizia, momenti kur kërkohet ndryshimi. Partia Socialiste erdhi në pushtet në 2013-ën vetëm në sajë të koalicionit të ashtuquajtur ‘koalicioni i qelbësirave” sipas përcaktimit të një gazetari të atëhershëm opozitar. “Të mblidhen të gjithë qelbësirat e të rrëzojnë Berishën” – pat thënë atëherë Mustafa Nano. Imagjinoni po të thoshte Berisha “ndalohen koalicionet” në 2012-ën, si do vepronin socialistët? Apo meqë tani i kemi në dorë deputetët surrogatë të bëjmë çtë duam?

Nisma për ndalimin e koalicioneve dhe pragu i lartë elektoral (zhdukja nga skena politike e partive të vogla) është një nismë për t’u përgëzuar nëse ndërmerret menjëherë pas zgjedhjeve, pra, pasi kanë kaluar ethet elektorale. Nëse kjo nismë merret duke u nisur nga situata absurde parlamentare  kjo është arrogancë e pashoqe e përzier me korrupsion. Fakti që këtë nismë e kanë marrë deputetët surrogatë, pra praktikisht të ndëshkuarit e nesërm të asaj që po miratojnë sot, më kujton Kunderën dhe përcaktimin  “aleatë të varrmihësit tënd”. Por duket hapur që është një pjesë teatrale e luajtur keq, trashë…

Ndërkohë që po shkruaja këtë shkrim, Edi Rama sapo shprehu mirëkuptimin ndaj propozimeve të Murrizit.

Të gjithë tashmë janë të qartë që naiviteti i personazhit absurd të Kunderës nuk ka asnjë lidhje me “djallëzinë” provinciale të Murrizit.