Robert Ndrenika - Plaku Mahoney dhe Edi Rama - Gazeta Express
string(42) "robert-ndrenika-plaku-mahoney-dhe-edi-rama"

Shqiperi

Gazeta Express

26/03/2021 19:25

Robert Ndrenika – Plaku Mahoney dhe Edi Rama

Shqiperi

Gazeta Express

26/03/2021 19:25

Erli Kodra

Kur e pashë Robert Ndrenikën në spotin elektoral të Edi Ramës, unë mbeta. Ndjeva keqardhje, dhimbje dhe trishtim, por më vonë fillova të mendohem – çfarë e ka detyruar këtë burrë të vjetër të shesë imazhin, portretin, fytyrën dhe zërin – por nuk arrita të gjej një dyshim të arsyeshëm, përveç thashethemeve dhe fjalëve të përhapura në kësi rastesh për shitje – blerje. Robert Ndrenika është shumë i vjetër për t’u shitur, për më tepër që artistë të kalibrit të tij kanë çmim të rëndë. Ata mbartin peshën e personazheve që kanë luajtur, ngjyrimet e holla të karakterit dhe ndjeshmërisë – por mbi të gjitha, askush më mirë se një artist nuk e di se çfarë do të thotë të hysh nën lëkurën e një personazhi, të bëhesh njësh me personalitetin e tyre.

Lexo Edhe:

Pas këtyre mendimeve, ndjeva se diçka nuk shkonte, nuk e plotësonte pazëllin e dyshimit tim. Ndoshta maska anti covid i ka ardhur në ndihmë për të fshehur emocionet negative, ndoshta trishtimi i syve shprehte atë që nuk e thotë me gojë, bash në kohën kur kamera i rrotullohej rreth bustit, në sallën e boshatisur të Teatrit Kombëtar, ndërsa Ai hedh shikimin tutje në skenën që e ka përpirë dheu.

Unë e di – e di edhe nga përvoja ime – se artistët nuk janë njerëz të zakonshëm, domethënë si shumica e njerëzisë. Ata e perceptojnë realitetin me thellë, sepse ata nuk janë njerëz indiferent. Ata e ndjejnë në ajr pëlqimin dhe mospëlqimin, dashurinë dhe urrejtjen, dhimbjen dhe trishtimin. Zakonisht ata janë vëzhgues të hollë të mjedisit ku jetojnë: jeta e tyre është një alegori e gjallë, lëvizëse, transformuese. Ata e dinë më mirë se gjithkush se çfarë janë personazhet e Shekspirit, Çehovit, Artur Millerit, Bertold Brecht.

Në këtë kuptim, unë e kisha të vështirë të dyshoj tek moskuptimi i Ndrenikës, ose tek naiviteti i tij, ose më keq akoma, të marr si të mirëqenë mundësinë se ai vërtetë beson tek “punëdhënësi” Edi Rama. Kundërthënia që prodhon loja e fundit e aktorit është njëlloj shok-u psikologjik, që tejkalon punën e rëndomtë të një reklame komerciale. Shpesh herë reklamat komerciale shkojnë përtej synimit, dhe kthehen në produkte të papranueshme të moralit shoqëror. Reklamat me lëkur kafshësh të kthyera në pellushe të ngrohta janë cilësuar si reklama mizore. Në këtë rast, morali që shet Robert Ndrenika është mizor dhe pa moral. Në jetën e një burri, për më tepër në atë të Robert Ndrenikës, kapërcimet e mëdha janë të pazakonta. Prandaj me siguri se diçka e pazakontë ka ndodhur me jetën e aktorit.

***

Plaku Mahoney – aktori që jepte leksione teatri për Arturo Ui është intepretuar nga Robert Ndrenika. E mbaja mend këtë pjesë, por nuk e dija se çfarë ngjashmërie të dhimbshme kishte plaku Mahoney me Ndrenikën e sotëm. Në të dy rastet ai aktron dhe jep “leksione” teatri: në të dy rastet punon për një gangster politik, në të dy rastet është në lojë dhuna ndaj aktorit. Duket sikur ky karakter e përndjek aktorin – në këtë rast për t’ia rrënuar dinjitetin.

E dëgjova disa herë spotin e Ndrenikës për Ramën. Dukej si diçka e paplotë, e lënë përgjysëm, njëlloj stërmundimi për të fshehur dridhjen e lehtë të zërit, në atë çastin e vetëm kur lëmshi i mbledhur në grykë e mposhtë aktorin. Ai lloj ngulshi i mbytur – shumë i shkurtër në kohë – flet më shumë se qindra fjalë.

Unë nuk di asnjë thashethem për Robert Ndrenikën, por edhe sikur të dija, nuk do të shkruaja asnjë fjalë. Duket qartë se ky është një rast abuzimi tipik, ku një gangster lokal si Edi Rama ka marrë peng një artist të moshuar, për t’ia përdhosur dinjitetin.

Robert Ndrenika ishte në rrugën nga Rama do të kalonte për të shembur Teatrin Kombëtar. Aktori i mirënjohur jo vetëm duhet të thyhet, por duhet të poshtërohet. Ai e di shumë mirë se qytetarët e dinë që Ndrenika është një peng, por ai pikërisht këtë dëshiron të përcjellë – nënshtrimin.

Rrëzimi i Edi Ramës tashmë nuk është çështje politike, as çështje ekonomike, por është çështje e dinjitetit njerëzor. Të marrësh peng një artist si Robert Ndrenika – për më tepër moshë të thyer – është fyerje për shoqërinë.

Një shoqëri normale reagon fort kur ndodhin pengmarrje të tilla, për më tepër kur “plaku Mahoney” merret peng nga Arturo Ui. Ndaj ne nuk mund të gjykojmë pengun, por ta çlirojmë atë.

*) Robert Ndrenika në rolin e Plakut Mahoney në dramën Arturo Ui të Bertolt Brecht