ILDKPKI nis hetimet për dypunësimin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku - Gazeta Express
string(88) "ildkpki-nis-hetimet-per-dypunesimin-e-nenkryetarit-te-bashkise-se-tiranes-arbjan-mazniku"

Gazeta Express

12/05/2020 17:09

ILDKPKI nis hetimet për dypunësimin e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku

Gazeta Express

12/05/2020 17:09

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, njoftoi të martën se kishte filluar hetim administrativ për të verifikuar nëse punësimi i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku edhe si administrator i kompanisë “Eco Tirana“ sh.a, është apo jo konflikt interesi.

“Bazuar në ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, si dhe në zbatim të Kodit të Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë, do të nisë hetimi administrativ me qëllim verifikimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rastit të dyshuar të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik për zyrtarin Z. Arbjan Mazniku,” thuhet në një përgjigje që ILDKPKI i dërgoi BIRN.

Lexo Edhe:

Dypunësimi i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës si administrator i shoqërisë “Eco Tirana” u denoncua fillimisht në portalin “JOQ”. Përmes një statusi në Facebook, edhe ish-kryeministri Sali Berisha e konsideroi vjedhje pagesën e Maznikut nga kompania “Eco Tirana”, paralelisht me atë të Bashkisë.

“Eco Tirana” është kompania aksionere që merret me menaxhimin e mbetjeve të kryeqytetit dhe zotërohet me 51 për qind nga Bashkia dhe 49 për qind nga Holding AGSM Albania Sh.a. Mazniku u emërua administrator i “Eco Tirana” në qershor 2019, ndërkohë që mbante më parë pozicionin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës.

I pyetur nga BIRN, Mazniku mohoi konfliktin e interesit, ndërsa shtoi se ishte administrator pa tagra administrativë.

“Kjo shoqëri funksion si një shoqëri aksionare me dy nivele. Në përputhje me statutin e shoqërisë Eco Tirana sha, shoqëria ka 4 administratorë dhe ku vetëm njëri prej tyre ka detyra dhe kompetenca ekzekutive që i jepen nga këshilli i administratorëve dhe i cili duhet të përmbushë funksionin e tij me kohë te plotë. Administratorët pa tagra ekzekutive përbëjnë këshillin e administratorëve”, tha Mazniku në përgjigje të pyetjeve të BIRN.

Mazniku tha gjithashtu se përfaqësonte interesat e bashkisë në këtë kompani, ndërsa paralajmëroi se do të padiste penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha për shpifje. I pyetur për nisjen e hetimit administrativ nga ILDKPKI, Mazniku u përgjigj se ishte “shumë i lumtur sa herë që flasin institucionet në vend të baltexhinjve”.

Neni 5 i ligjit për “Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimi e Funksioneve Publike” parashikon si interes privat të zyrtarit “të drejta dhe detyrime pasurore të çdo lloj natyre dhe çdo marrëdhënie tjetër juridiko-civile”. Megjithatë, ILDKPKI është i vetmi institucion që mund të vlerësojë nëse jemi para një rasti të konfliktit të interesit. Ky është rasti i dytë që nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku po hetohet për konflikt të dyshuar interesi. Në shtator 2019, Prokuroria e Tiranës nisi një hetim ndaj tij për përfitimin e pagesës së një hoteli me 5 yje në Barcelonë nga kompania “Fusha” sh.p.k, por tre muaj më pas kërkoi pushimin e akuzave në gjykatë.