Pronari i kamionit me kokainë i përfshirë në skandalin “Spilleja” me Elvis Roshin e Gent Dajën - Gazeta Express
string(92) "pronari-i-kamionit-me-kokaine-i-perfshire-ne-skandalin-spilleja-me-elvis-roshin-e-gent-dajen"

Pronari i kamionit me kokainë i përfshirë në skandalin “Spilleja” me Elvis Roshin e Gent Dajën

Shqiperi

Gazeta Express

17/05/2021 21:26

Bledar Habili, bashkëpronar i kompanisë “MC Food”, në kamionin e së cilës u gjet një sasi gjigande kokaine mesditën e kësaj të Hëne në Kosovë, rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.

Lexo Edhe:

​Ai rezulton të jetë një prej përfituesve të pronave bregdetare në Spille të Kavajës, në një çështje që u hetua nga Prokuroria e Kavajës në vitin 2017, ku u arrestuan edhe disa zyrtarë të lartë për falsifikim dokumentash.

Sipas të dhënave hetimore të asaj kohe, Bledar Habili dyshohej se kishte përfituar pronësinë mbi një truall në bregdet, duke u shënuar si “tokë arë”.

Çështja e Spillesë ishte një prej rasteve më skandaloze të abuzimit me tokën në bregdet, brenda së cilës kishte një numër të konsiderueshëm emrash të rëndësishëm.

Në foto: Dokumenti hetimor i Prokurorisë së Kavajës për “Spilleja”

Prokuroria e Kavajës provoi në atë kohë se, ndër përfituesit e tokave në mënyrë abuzive, ishin familjarët e ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi dhe ish-kryetarit të Partisë Socialiste të qytetit, Gentjan Daja.

Personazhi kryesor i kësaj skeme ishte ish-drejtuesi i Zyrës Vendore të Pasurive të Paluajtshme, Seid Cikalleshi, njëkohësisht vjehrri i ish-kryesocialistit, Daja.

Po ashtu, ndër personat e tjerë të përfshirë në atë skemë ishte edhe Altin Çopa, i cili kishte mbajtur më herët detyrën e drejtorit të ALUIZNI-t në qytetin e Kavajës.

Çopa, pas largimit nga administrata publike, u bashkua me Bledar Habilin në një kompani ndërtimi, të regjistruar në tetor 2020, “Fokus 2020”.

Bashkë me Habilin dhe Çopën, në këtë kompani është bashkëpronar edhe Donald Rroshi, djali i xhaxhait të Elvis Rroshit, sipas të dhënave të portalit informativ ‘Open Corportes.al’

Në foto: Aksionerët e kompanisë “Fokus 2020”

Të dhënat e deri më tanishme nga Prishtina zyrtare nuk kanë dhënë detaje mbi përgjegjësinë e pronarëve të ‘MC Food” në trafikun e rreth 2.2 ton kokainë nga Brazili drejt magazinave të kompanisë në Lipjan të Kosovës.

Spilleja

Në Nëntor 2017, Prokuroria e Kavajës njoftoi për finalizimin e hetimeve të rastit “Spilleja”.

Organi i akuzës dha detaje në atë kohë për falsifikimin e pronave në bregun e Kavajës.

Në bazë të dokumentave zyrtarë, të vendosura në dispozicion të gjykatës, rezulton se kanë përfituar toka nga skema mashtruese familjarë të ish-kryetarit të Bashkisë, Elvis Roshi, të ish- kryetarit të Partisë Socialiste, Gentian Daja, familjarë dhe lidhje fisnore të nënprefektit të Tiranës, Fatos Kaja, si edhe të ish-kryetarit të Komunës Kryevidh, Nezir Leçini.

Këta persona, siç rezulton nga dokumentat zyrtarë, kanë qenë përfitues të drejtëpërdrejtë ose e kanë marrë pronësinë nëpërmjet transaksioneve nga shtetas të tjerë. Në disa raste, rezulton se familjarët e drejtuesve lokalë, pasi janë bërë pronarë, ua kanë shitur tokat e tyre kompanive ndërtuese për zhvillimin e tyre.

Nga hetimi i Prokurorisë së Kavajës rezultoi se drejtues dhe ish-drejtues lokalë të qytetit kanë tjetërsuar llojin e tokës nga ranishte në tokë arë, nëpërmjet dokumentave të fallsifikuar. Pas ndryshimit të regjimit të tokës, ata e kanë ndarë atë tek persona të ndryshëm, si edhe e kanë regjistruar në Hipotekë.

Me urdhër të Prokurorisë së Kavajës u arrestuan 9 persona, mes tyre edhe nënprefekti i Tiranës, drejtori i ALUIZNI-t në qytet, si edhe disa zyrtarë të Hipotekës.

Ish-kryeregjistruesi i Hipotekës së Kavajës, Seid Cikalleshi, i cili është edhe vjehrri i ish-kryetarit të PS-së në qytet, Gentian Daja, fillimisht u shpall në kërkim dhe më pas u vetëdorëzua.

Nga Boldnews