Siç pritej, Fran Garcia është larguar nga Real Madridi për t’iu bashkuar rivalit të La Ligës, Real Betis, në një transferim të përhershëm.
Klubi nga Sevilla zyrtarizoi sot transferimin e mbrojtësit 26-vjeçar, duke konfirmuar se ai ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare, e vlefshme deri në vitin 2030.
Edhe Real Madridi e konfirmoi marrëveshjen përmes një komunikate zyrtare: “Real Madrid CF dhe Real Betis Balompié kanë arritur një marrëveshje për transferimin e lojtarit tonë, Fran Garcia”.
Real Betisi dhe Real Madridi kishin qenë prej kohësh në negociata për këtë transferim, por gjithçka u finalizua shpejt gjatë ditës së sotme pasi klubet arritën marrëveshjen.
Garcia kreu menjëherë kontrollet mjekësore, nënshkroi kontratën dhe tashmë është zyrtarisht futbollist i Real Betisit.
Edhe pse nuk u përmend në komunikatën e klubit madrilen, Real Madridi do të përfitojë 4 milionë euro për 50 për qind të të drejtave ekonomike të mbrojtësit të majtë.
Kjo konsiderohet një marrëveshje e favorshme për “Los Blancos”, duke pasur parasysh se Garcia ndodhej në vitin e fundit të kontratës së tij.
Pas transferimit të Marc Cucurellas nga Chelsea gjatë kësaj vere dhe vendimit për të mbajtur edhe Alvaro Carreras në skuadër, u bë e qartë se Garcia nuk bënte pjesë në planet e trajnerit të ri, Jose Mourinho.
Mbrojtësi i majtë largohet nga klubi ku u formua, katër vjet pasi ishte rikthyer nga Rayo Vallecano, ekip ku kaloi tri sezone.
Gjatë dy periudhave të tij te Real Madridi, Fran Garcia zhvilloi 110 ndeshje me ekipin e parë, duke realizuar tre gola dhe dhuruar 13 asistime.
Në këtë periudhë ai fitoi pesë trofe: një Ligë të Kampionëve, një Kupë të Botës për Klube, një Superkupë të UEFA-s, një titull të La Ligës dhe një Superkupë të Spanjës./GazetaExpress/