Ruben Amorimi ka pranuar hapur se bëri gabime gjatë periudhës së tij të vështirë 14-mujore si trajner i Manchester United, duke theksuar se përvoja në “Old Trafford” i ka shërbyer si një mësim i madh për karrierën e tij.
Në konferencën e parë për shtyp si trajner i ri i Milanit, portugezi foli sinqerisht për periudhën e shkurtër te Manchester Unitedi, e cila përfundoi me shkarkimin e tij në janar të vitit 2026.
Amorim mori drejtimin e “Djajve të Kuq” në nëntor të vitit 2024, por hasi vështirësi në zbatimin e ideve të tij gjatë 14 muajve në krye të skuadrës.
I pyetur për periudhën në Angli, ai tha: “Është e vështirë t’i shpjegoj gabimet, sepse për këtë do të më duhej të shpjegoja të gjithë kontekstin e aventurës sime të fundit.
“Është e vështirë t’ju tregoj çdo gabim. E vetmja gjë që mund të them është se kam mësuar shumë dhe kam bërë disa gabime”, shtoi ai.
Amorimi shfrytëzoi rastin edhe për t’u dërguar një mesazh tifozëve të Manchester Unitedit, të cilët i la pas.
Ai u shkarkua në një kohë kur United ndodhej në vendin e gjashtë në Premierligë, pas një periudhe gjatë së cilës u kritikua ashpër për qasjen taktike dhe për mosaktivizimin e lojtarëve të akademisë.
Megjithatë, trajneri portugez shprehu keqardhje që nuk pati mundësi të përshëndeste tifozët para largimit.
“Nuk pata mundësinë, dhe më vjen keq për këtë, t’u them diçka tifozëve të Manchester United. Jam vërtet krenar që kam qenë trajneri i tyre për një vit gjatë asaj periudhe,” deklaroi Amorimi.
Statistikat e tij te Manchester Unitedi mbeten ndër më të dobëtat në historinë moderne të klubit.
Në të gjitha garat, Amorim drejtoi 63 ndeshje, duke regjistruar 25 fitore, 15 barazime dhe 23 humbje.
Në Premierligë, ai fitoi vetëm 15 nga 47 ndeshjet që drejtoi, me një mesatare prej vetëm 1.23 pikësh për ndeshje.
Kjo përbën mesataren më të ulët të pikëve për çdo trajner të Manchester Unitedit në epokën e Premierligës.
Pavarësisht kësaj, Amorimi beson se përvoja do ta ndihmojë të bëhet një trajner më i mirë.
“Të gjithë mësojnë nga përvoja e tyre. Unë mësova shumë. Bëra disa gabime. Ka disa gjëra që do të përpiqem t’i ndryshoj dhe disa të tjera që nuk do t’i ndryshoj kurrë. Por besoj se do të jem një trajner më i mirë,” përfundoi ai./GazetaExpress/