Fabian Ruiz ka vendosur ta lidhë të ardhmen e tij me Paris Saint-Germain, duke nënshkruar një kontratë të re me kampionët e Francës.
Mesfushori spanjoll thuhet se ka refuzuar interesimin e madh nga Real Madridi dhe Bayern Munichu për të vazhduar karrierën në Paris, aty ku ka fituar me sukses trofe si në arenën vendore ashtu edhe në atë evropiane.
Ruiz pritej të hynte në vitin e fundit të kontratës së tij, çka kishte zgjuar interesimin e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Megjithatë, sipas mediumit francez “RMC Sport”, PSG ka siguruar vazhdimësinë e 30-vjeçarit, i cili iu bashkua klubit nga Napoli në vitin 2022 për 22.5 milionë euro.
Gazetari Fabrice Hawkins raportoi se Ruiz ka pranuar një zgjatje njëvjeçare të kontratës, me opsion për edhe një vit tjetër.
Para këtij rinovimi, mungesa e një konfirmimi zyrtar kishte nxitur spekulime të shumta.
Mediat spanjolle raportonin se Real Madridi e shihte Ruizin si një zgjidhje ideale për të mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Toni Kroos, ndërsa Bayern Munichu po përgatiste një ofertë nën vlerën e 40 milionë eurove.
Të dy klubet e vlerësonin përvojën dhe cilësinë e mesfushorit, i cili numëron dy trofe të Ligës së Kampionëve dhe katër tituj kampion me PSG-në.
Ruiz është shndërruar në një lojtar kyç në skemat e trajnerit Luis Enrique.
Vetëm sezonin e kaluar ai zhvilloi 34 ndeshje në të gjitha garat, përfshirë 20 paraqitje në Ligue 1 dhe nëntë në rrugëtimin triumfues të PSG-së në Ligën e Kampionëve.
Gjatë një sezoni të ngarkuar, ku PSG luajti edhe në Kupën Interkontinentale të FIFA-s dhe Superkupën e UEFA-s, ai regjistroi dy gola dhe pesë asistime, duke grumbulluar gjithsej 2.122 minuta në fushë.
Ruiz ka një përvojë të pasur edhe me kombëtaren e Spanjës, me të cilën ka fituar Kampionatin Evropian dhe Ligën e Kombeve, ndërsa PSG e sheh rinovimin e tij si një hap të rëndësishëm për të ruajtur bërthamën e lojtarëve fitues në synimin për të vazhduar dominimin në Francë dhe Evropë./GazetaExpress/