Real Madridi ka zyrtarizuar të hënën largimin e një prej lojtarëve të tij, Gonzalo Garcia, i cili do ta vazhdojë karrierën në Premierligë me fanellën e Fulhamit.
Në një njoftim të publikuar në faqen zyrtare, klubi madrilen konfirmoi se ka arritur marrëveshje me Fulhamin për transferimin e sulmuesit.
“Gonzalo Garcia iu bashkua Real Madridit në vitin 2014, kur ishte vetëm 10 vjeç, dhe për 11 sezone ishte pjesë e klubit”, thuhet në deklaratën e “Los Blancos”.
Më tej, klubi shtoi: “Me fanellën e ekipit të parë, Gonzalo Garcia fitoi një herë Kupën e Botës për Klube dhe një herë titullin e La Ligas”.
Real Madridi vlerësoi gjithashtu kontributin e lojtarit gjatë gjithë periudhës së tij në klub.
“Gonzalo Garcia gjithmonë mishëroi vlerat e Real Madridit. Klubi e falënderon për përkushtimin dhe angazhimin që tregoi gjatë viteve të kaluara me ne”.
Në fund të deklaratës thuhet: “Real Madridi do të jetë gjithmonë shtëpia e tij dhe i uron atij dhe familjes së tij çdo të mirë në këtë etapë të re të jetës”.
Ndërkohë, eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka bërë të ditur se marrëveshja kap vlerën e 40 milionë eurove si shumë fikse, plus edhe 2 milionë euro të tjera në formë bonusesh.
Sipas Romanos, Real Madridi ka ruajtur gjithashtu 30 për qind të vlerës së një transferimi të ardhshëm të lojtarit, si dhe të drejtën për të barazuar çdo ofertë që mund të paraqitet në të ardhmen, në rast se dëshiron ta rikthejë Garcian në “Santiago Bernabéu”./GazetaExpress/