Pozita e Gianni Infantinos si president i FIFA-s është vënë nën presion të madh, por sipas raportimeve ai vazhdon të ketë mbështetjen e një aleati të rëndësishëm: presidentit amerikan Donald Trump.
Sipas “The Telegraph”, Trump mund të luajë një rol të rëndësishëm në përpjekjet e Infantinos për të qëndruar në krye të qeverisë botërore të futbollit.
Presidenti i FIFA-s është përballur së fundmi me kritika të ashpra për planin e tij të diskutueshëm për të shitur një pjesë të të drejtave komerciale të Kupës së Botës te investitorë privatë. Projekti shumë miliardësh, me vlerë rreth 15 miliardë dollarë, dështoi pas kundërshtimeve të forta nga komuniteti i futbollit, duke e detyruar Infantinon të tërhiqte propozimin.
Megjithatë, sipas raportit, Trump vazhdon të ketë besim te Infantino.
Dyshja kanë krijuar një marrëdhënie të ngushtë gjatë viteve të fundit, veçanërisht në kuadër të organizimit të Kupës së Botës 2026 në Shtetet e Bashkuara.
Brenda administratës amerikane besohet se Infantino “e realizoi misionin” duke siguruar organizimin e Botërorit në SHBA dhe, për këtë arsye, gëzon besnikërinë e presidentit amerikan.
Marrëdhënia mes tyre është bërë gjithnjë e më e dukshme me kalimin e viteve.
Gjatë ceremonisë së shortit të Kupës së Botës, Infantino i dorëzoi Trumpit çmimin e ri të quajtur “Çmimi i Paqes”, ndërsa raportohet se presidenti amerikan kishte shqyrtuar edhe mundësinë që zvicerani të merrte një post të lartë në Kombet e Bashkuara.
“Jam i bindur se presidenti do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për ta ndihmuar. Nuk besoj se ai do ta ndryshojë mendimin për të, sepse është një njeri besnik. Gianni siguroi organizimin e Kupës së Botës për Shtetet e Bashkuara dhe ne e vlerësojmë këtë”, tha një burim për “The Telegraph”.
Edhe pse Trump nuk ka të drejtë vote në FIFA dhe nuk mund të ndikojë drejtpërdrejt në zgjedhjen e presidentit, mbështetja e tij mund të ketë peshë të konsiderueshme.
Presidenti amerikan gëzon një rrjet të gjerë ndikimi në arenën ndërkombëtare dhe ka marrëdhënie me shumë vende që kanë të drejtë vote në FIFA. Gjithashtu, roli i Shteteve të Bashkuara në futbollin botëror është rritur ndjeshëm, sidomos për shkak të organizimit të Kupës së Botës 2026.
Nga ana tjetër, kundërshtimi ndaj Infantinos po shtohet, veçanërisht në Evropë.
UEFA po intensifikon përpjekjet për ta larguar atë nga drejtimi i FIFA-s, duke kërkuar mbështetje edhe nga federatat e Afrikës dhe Azisë, kontinente që përbëjnë një pjesë të madhe të votave në zgjedhjet për presidentin e organizatës./GazetaExpress/