Newcastle United ka refuzuar ofertën e parë të Arsenalit për kapitenin Bruno Guimaraes.
Sipas raportimeve, “Magpies” nuk dëshirojnë të ndahen me mesfushorin brazilian 28-vjeçar, i cili ka edhe dy vite kontratë me klubin.
Megjithatë, Arsenali po shqyrton paraqitjen e një oferte të përmirësuar gjatë kësaj vere, me synimin për të përforcuar skuadrën në garën për ta mbrojtur titullin e Premierligës dhe për të fituar për herë të parë Ligën e Kampionëve, pas arritjes në finale sezonin e kaluar.
Guimaraes aktualisht ndodhet në Spanjë me skuadrën e Newcastle për fazën përgatitore dhe ka publikuar një fotografi në Instagram për të konfirmuar bashkimin me bashkëlojtarët.
Eksperti i futbollit, Julien Laurens, komentoi situatën në “Sky Sports News”.
“E dija se Newcastle do të hynte në këto negociata duke u përpjekur të përfitonte sa më shumë para nga Arsenali”, tha ai.
“Por këtë verë kemi parë se Arsenali nuk paguan më shumë sesa e konsideron të drejtë për vlerën e një futbollisti”, shtoi ai.
Laurens e përshkroi situatën si një “lojë shahu” mes dy klubeve.
“Është një lojë interesante shahu që sapo ka nisur mes Newcastle dhe Arsenalit. Nuk besoj se ka pasur ndonjë problem mes lojtarit dhe Arsenalit, ndaj tani gjithçka varet nga negociatat mes dy klubeve”, u shpreh ai.
Sipas tij, refuzimi i ofertës së parë ishte i pritshëm.
“Pritej që oferta e parë të paraqitej pikërisht në këtë periudhë dhe po ashtu pritej të refuzohej. Tani të dy klubet mund të vazhdojnë bisedimet”, vazhdoi ai.
Laurens beson se Newcastle është i vetëdijshëm për dëshirën e Guimaraes për t’u transferuar në “Emirates”.
“Mendoj se Newcastle e di shumë mirë se sa shumë Guimaraes dëshiron të largohet dhe t’i bashkohet Arsenalit. Gjithashtu e dimë edhe situatën financiare aktuale të klubit.”
Ai shtoi se kjo ishte një nga arsyet që çoi në largimin e Eddie Howe.
“Ky ishte një nga faktorët që ndikoi në largimin e Eddie Howe, pasi ai e dinte se Guimaraes do të shitej te Arsenali herët a vonë.”
Laurens theksoi gjithashtu se Newcastle dëshiron të shmangë përsëritjen e situatës së Alexander Isakut nga vera e kaluar.
“Klubi nuk dëshiron që të ndodhë e njëjta gjë si me Alexander Isakun, sepse ajo situatë nuk ishte e mirë për askënd – as për Newcastle, as për Isakun dhe as për Liverpoolin.”
Në fund, ai parashikoi se marrëveshja mund të mbyllet shumë shpejt.
“Pres që ky transferim të përfundojë brenda dy javëve të ardhshme. Arsenali nuk do të marrë vetëm një nga mesfushorët më të mirë të Premierligës, por edhe një lojtar që mund të luajë si numër 6, numër 8 dhe numër 10.”
Duke shpjeguar arsyet pse Mikel Arteta e dëshiron brazilianin, Laurens tha:
“Sekreti i suksesit të Brunos, sipas Artetës, është aftësia e tij për t’i bërë ballë presionit të lartë. Kur përballesh me skuadra që ushtrojnë presion dhe duan të të pengojnë ndërtimin e lojës nga prapa, Bruno është ndër më të mirët në këtë rol.”
Ai përfundoi: “Unë e shoh atë duke luajtur përpara katërshes së mbrojtjes, me Declan Rice dhe Martin Odegaard në krahët e tij, duke diktuar ritmin e ndeshjes dhe duke kontrolluar lojën”./GazetaExpress/