Vrasja te nënkalimi, i akuzuari e pranon fajësinë - Gazeta Express
string(48) "vrasja-te-nenkalimi-i-akuzuari-e-pranon-fajesine"

Gazeta Express

06/12/2019 14:57

Vrasja te nënkalimi, i akuzuari e pranon fajësinë

Gazeta Express

06/12/2019 14:57

Nexhat Blakqori, i cili akuzohet se nga pakujdesia kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin, Gani Rama, në korrik të këtij viti, është deklaruar fajtor gjatë seancës fillestare të mbajtur të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai akuzohet, se më 20 korrik 2019, në shkallët e nënkalimit të bulevardit “Bill Kllinton”, pas mosmarrëveshjes verbale, fizikisht e ka sulmuar tani të ndjerin Gani Rama, e që si rezultat i sulmit kishte ardhur deri te humbja e baraspeshës së tij, i cili ishte rrëzuar shkallëve, me ç ‘rast nga plagët e marra kishte humbur jetën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Në seancën fillestare të mbajtur të premten, i akuzuari deklaroi se ndihet fajtor dhe se ndien keqardhje për rastin që kishte ndodhur.

Ai tha se, pranimin e fajësisë po e bën në mënyrë të vullnetshme dhe se për familjen e të dëmtuarit kërkon falje publike.

Pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoi prokurorja Javorka Perlinqeviq, e cila paraprakisht bëri ricilësimin e veprës penale për të akuzuarin.

Prokuroria të akuzuarin Blakqori, fillimisht e akuzonte për veprën penale “vrasje”, nga neni 172, lidhur me nenin 23 të KPRK-së, vepër për të cilën është paraparë dënim jo më pak se pesë vjet burgim.

Ndërkaq, pas ricilësimit, të bërë nga prokurorja Perlinqeviq gjatë seancës fillestare, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, nga neni 175 i  KPRK- së, vepër për të cilën është paraparë dënim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Gjykata lejoi ricilësimin juridik të bërë nga prokurorja Perlinqeviq dhe aprovoi pranimin e fajësisë të bërë nga ana e të akuzuarit Blakqori, duke shtuar se i pandehuri këtë e bëri në mënyrë të vullnetshme dhe duke qenë i vetëdijshëm për pasojat e pranimit të fajësisë.

Prokurorja i propozoi gjykatës që me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, të ketë parasysh shqetësimin e publikut me kryerjen e kësaj vepre penale si dhe rrethanë lehtësuese të merr pranimin e fajësisë.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Blakqori, avokati Arlind Jupolli, deklaroi se i mbrojturi i tij e ka bërë pranimin e fajësisë në mënyrë të sinqertë dhe pas këshillimit të mjaftueshëm me të, duke qenë në dijeni për pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë.

“Siç shihet edhe nga shkresat e lëndës, i mbrojturi im nuk ka pasur qëllim që dikë ta privoj nga jeta, mirëpo duke qenë se e tërë ngjarja ka ndodhur brenda disa sekondash, ka ardhur deri tek pasoja e shkaktuar”, shtoi avokati Jupolli.

Ai kërkoi nga gjykata, që të merr parasysh rrethanat lehtësuese, me rastin e matjes së lartësisë së dënimit për të mbrojturin e tij.

Avokati Jupolli, po ashtu i propozoi gjykatës, se meqenëse kanë pushuar shkaqet për të cilat është shqiptuar masa e paraburgimit, e njëjta t’i ndërpritet.

Por, lidhur me këtë gjykatësi i rastit, Shashivar Hoti, tha se do të vendos me rastin e shpalljes së aktgjykimit, duke e lënë në fuqi vendimin me të cilin i ishte shqiptuar kjo masë.

Sipas njoftimit nga gjykatësi Hoti, shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 9 dhjetor 2019, në orën 13:00.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 30 tetor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Blakqorit, të cilin pas ricilësimit, e ngarkon me veprën penale “vrasje nga pakujdesia”, nga neni 172, lidhur me nenin 23 dhe nenin 24 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, Blakqori, më 20 korrik 2019, në shkallët e nënkalimit, në bulevardin “Bill Kllinton”, pas mosmarrëveshjes verbal fizikisht e ka sulmuar tani të ndjerin Gani Rama, duke e goditur shume herë me grushte në pjesën e kokës, në këmbë e në pjesë të kraharorit.

Në aktakuzë thuhet se si rezultat kësaj, tani i ndjeri e kishte humbur baraspeshën dhe ishte rrëzuar nga shkallët, duke ardhur deri te vdekja e viktimës.

Me këto veprime, Blakqori akuzohet se ka kryer veprën penale të vrasjes nga pakujdesia.