Von Cramon: Do të vij në Kosovë, vizita po shtyhet për shkak të pandemisë - Gazeta Express
string(72) "von-cramon-do-te-vije-ne-kosove-vizita-po-shtyhet-per-shkak-te-pandemise"

Von Cramon: Do të vij në Kosovë, vizita po shtyhet për shkak të pandemisë

Arbër Jashari

22/07/2020 12:39

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon thotë se ka planifikuar një vizitë në Kosovë por që po shtyhet për shkak të pandemisë. Në një përgjigje për Gazetën Express, Von Cramon ka folur edhe për deklaratat e ish-ministrit të Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj dhe deputetëve tjerë të PDK’së të cilët e kritikuan për vizitën në Gjykatën Speciale. Von Crammon thotë se vizitën në Hagë e kishte planifikuar moti dhe se ajo s’ka lidhje me punën e Gjykatës dhe rastin e Presidentit.

Viola von Crammon nxitë reagim me secilin postim të saj në Kosovë. Asaj njësoj i reagojnë edhe në Serbi për shkak të kritikave siç ishte rasti kur akuzoi Presidentin e Serbisë se po i fsheh rastet me COVID 19.

Lexo Edhe:

Por një vizitë e eurodeputetes në Hagë tek Gjykata Speciale ka shkaktuar ortek reagimesh nga zyrtarët e PDK’së.

 Enver Hoxhaj e Ganimete Musliu e kanë quajtur ndërhyrje politike të saj në punën e gjykatës. Madje Musliu tha se më e pakta që mund të bëjë europarlamentarja është të kërkojë falje dhe të jepte dorëheqje.

Kurse deputeti i PDK’së, Memli Krasniqi në një replikë të tij në Tëitter e ka quajtur eurodeputete aksidentale raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

“Deputetja aksidentale e Parlamentit Evropian godet përsëri! Dhe me një postim racist në të! Duke e qortuar tërë vendin tonë të neve më pak vdekatarëve. Sa siguri që ajo do të shkruajë raporte rreth Kosovës për Parlamentin Evropian. Ne jemi inferiorë ndaj shkelqësisë së saj, siç mund ta pohojnë shumë robotë anonimë të Twitter-it që e përkrahin atë”, ka thënë ai.

Por, europarlamentarja Von Cramon në një përgjigje për Express thotë se ka planifikuar një vizitë në Kosovë për një mision të mbledhjes së fakteve duke theksuar se vizita e saj në Hagë s’ka lidhje me faktin që kjo gjykatë po merret me Thaçin.

“Sigurisht që planet e udhëtimit nuk i vendosë në bazë të punës së gjykatës” ka thënë ajo.

“Në mënyrë të ngjashme, kam planifikuar të shkoj në Kosovë përsëri për një mision të gjetjes së fakteve, gjë që është shtyrë disa herë për shkak të krizës shëndetësore dhe do të shkoj kur rrethanat e jashtme ta bëjnë këtë të mundshme dhe unë qartazi nuk jam duke vendosur për planet e mia të udhëtimit në bazë të punës së gjykatës. Interesi im politik është që të ketë një sistem të fuqishëm dhe të pavarur të drejtësisë në Kosovë dhe nuk ka asnjë arsye pse unë do të dëshiroja të ndërhyj në punën e një gjykate”, është shprehur ajo.

E pyetur nëse vizita e saj në Hagë është një ndërhyrje politike, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian tha se arsyeja kryesore e vizitës ishte që të mësojë më shumë se si zbatohet sundimi i ligjit se si punojnë këto institucione.

Von Cramon tutje tha se vizitën në Gjykatën Speciale e kishte planifikuar më herët por përshkak të pandemisë nuk ka mundur të shkojë.

“Arsyeja ime kryesore e vizitës në Hagë ishte që të mësoj më shumë për atë se si zbatohet sundimi i ligjit, si punojnë këto institucione. Është detyra ime që të mbledh sa më shumë informata që është e mundshme. E kam planifikuar këtë vizitë për një kohë të gjatë, por për arsye mirë të njohura, nuk kisha mundësi të shkoj në Hagë”, ka thënë ajo.

Lidhur me reagimet e djeshme Von Cramon tha se ish-ministri i Jashtëm Hoxhaj mund t’a interpretojë si të dojë vizitën e saj në Hagë.

“Ai është i lirë ta interpretojë vizitën time ashtu si dëshiron. Edhe nëse ne mund të mos pajtohemi në disa pika, unë shpresoj se ai gjithashtu e di se ne të dy kemi një qëllim të njëjtë – t’u sjellim drejtësi Kosovës dhe viktimave të luftës dhe të sigurohemi që individët me përgjegjësi kriminale të mbahen përgjegjës”, tha Von Cramon.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës e kanë vizituar në dhjetor të vitit 2019 edhe anëtarë të komisionit parlamentar gjerman për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare, ku ishin pritur nga kryetarja Ekaterina Trendafilova.

“I shpreh mirënjohjen Republikës Federale të Gjermanisë për mbështetjen ndaj Dhomave të Specializuara dhe mandatit të tyre si një gjykatë penale e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me mbështetjen e BE-së për kryerjen e proceseve gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të sigurta,” kishte deklaruar Trendafilova.

“Si përfaqësues i Bundestagut gjerman, jam shumë i impresionuar me punën e rëndësishme të Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës për të mundësuar dhënien e llogarisë për kryerjen e krimeve të rënda dhe për mundësimin e proceseve gjyqësore të sigurta dhe të drejta,” kishte deklaruar kryesuesi i delegacionit, Jürgen Braun.