Mesfushori i Paris Saint-Germainit, Vitinha, ka folur për rrugëtimin e tij me klubin parisien, duke e theksuar rritjen e madhe që e ka përjetuar që nga momenti i transferimit në Francë.
“Që kur kam ardhur këtu, jam rritur shumë, jo vetëm si futbollist por edhe si njeri. Trofetë që i kemi fituar kanë ndikuar shumë në këtë proces”, u shpreh ai, duke e nënvizuar rëndësinë e suksesit kolektiv në zhvillimin personal, përcjell “Gazeta Express”.
Portugezi theksoi se ndihet gjithnjë e më i rëndësishëm brenda skuadrës dhe se synon të vazhdojë të kontribuojë maksimalisht për ekipin.
“Dua të jem një pjesë kyçe e kësaj skuadre dhe do të jap gjithçka në fushë”, deklaroi mesfushori.
Vitinha u ndal edhe te ambienti në Paris, duke e cilësuar si një faktor të rëndësishëm në formën e tij.
Ai theksoi se ndihet mirë si në klub, ashtu edhe në qytet, ndërsa e vlerësoi raportin me shokët e skuadrës dhe stafin.
“Familja ime ndihet mirë këtu dhe edhe unë po ashtu. Më pëlqen qyteti, më pëlqen klubi dhe njerëzit që punojnë këtu. Ka shumë arsye pse dua të qëndroj gjatë”, shtoi ai.
Në fund, mesfushori portugez la të kuptohet se objektivat e tij me PSG-në mbeten të mëdha, me synimin për të vazhduar të fitojë trofe dhe për të shkruar histori me fanellën e klubit parisien. /Gazeta Express