Një ndeshje e ndezur dhe plot tensione ajo që e përjetoi Vinícius Júnior në sfidën e fituar nga Real Madridi ndaj Espanyolit, ku protagonisti kryesor ishte pikërisht braziliani, autor i një dygolëshi vendimtar.
Megjithatë, përtej performancës në fushë, vëmendjen e mori përplasja e ashpër me mbrojtësin maroken Omar El Hilali, një duel i vazhdueshëm si fizikisht ashtu edhe verbal gjatë gjithë ndeshjes.
Situata u tensionua aq shumë, sa në një moment lojtari i Espanyolit u ndëshkua me karton të kuq nga referi, vendim që më pas u korrigjua në të verdhë pas ndërhyrjes së VAR-it.
Kamerat e “Movistar Plus+” kanë kapur disa nga momentet më të nxehta të debatit mes dy lojtarëve, duke zbuluar një shkëmbim të fortë fjalësh, përcjell “Gazeta Express”.
Në një prej episodeve, Vinicius i drejtohet kundërshtarit: “Ndal së bëri budallallëqe, ma kërko fanellën më vonë… je budalla, do të zihesh?”
Në një tjetër moment, braziliani shfaqet i irrituar nga loja fizike e kundërshtarit: “Topi është i ndalur dhe ti më kap menjëherë. Pse shtyn gjithmonë? Unë jam i qetë, vëlla”.
Përplasja nuk u ndal me kaq. Vinicius vazhdoi me tone të ashpra, duke përsëritur disa herë: “Je budalla, je budalla”, ndërsa në një rast tjetër, duke folur me një bashkëlojtar të rivalit, u shpreh: “Ai sillet si budalla vetëm për të dalë në televizion.”
Mes provokimeve më të forta ishte edhe një parashikim i drejtpërdrejtë për fatin e kundërshtarit.
“Do të rikthehesh në kategorinë e dytë, vëlla”, një frazë që e ka ndezur më tej atmosferën në fushë.
Madje, në kulmin e tensionit, ai iu drejtua edhe stolit kundërshtar: “Zëvendësojeni, do ta shesin!”, duke e çuar përplasjen përtej kufijve të një dueli të zakonshëm.
Një ndeshje që u fitua nga Real Madridi falë cilësisë së Vinicius, por që do të mbahet mend edhe për këtë “betejë” të fortë në fushë, ku nervat dhe provokimet morën shpesh vendin e lojës. /Gazeta Express