Shkrimtari Visar Zhiti i ka dërguar një letër Agron Tufës, i cili prej disa ditësh tashmë ndodhet në Zvocër me familjen, ku ka kërkuar azil politik për shkak të kërcënimeve me jetë.
Letra është publikuar nga vetë Agron Tufa në rrjetin social. Zhiti i shkruan shkrimtarit që të qëndrojë i fortë dhe kujton kohën kur në burgjet e komunizmit ka qenë vetë së bashku me babanë e Agron Tufës.
Zhiti shkruan se lajmi nuk e habiti, pasi “mua më dukej se pritej një ndodhi kësisoj, pa na befasuar dhe aq, se kështu është realiteti ynë, dramatik dhe i pabesë”.
Letër nga shkrimtari Visar Zhiti
I dashur Agron,
Së pari, Ju dëshirojmë të jeni mirë, kudo qofshi, bashkë me Elvanën dhe fëmijët, që meritojnë çdo sakrificë dhe gëzime pa fund.
Edhe pse jemi shumë larg, përtej oqeanit, në SHBA, Eda dhe unë
jemi vendosur afër Chicago-s, në një vend të heshtur dhe të veçuar, pa shumë
lajme, ku dimri tashmë ka ardhur, me temperaturat minus – dhe jo vetëm ato janë
minus për ne, – bashkë me dimrin, pra, na erdhi dhe lajmi i ikjes Tuaj
familjarisht nga atdheu.
Edhe pse mua më dukej se pritej një ndodhi kësisoj, pa na befasuar dhe aq, se
kështu është realiteti ynë, dramatik dhe i pabesë, gjithsesi na ka shqetësuar,
shqetësim i natyrshëm për Ju, fëmijët dhe vendin.
Ikja sigurisht që pati një shkak dhe lutemi që pasojat të jenë
për mirë.
Puna Juaj e madhe si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit
mbetet e rëndësishme, plot me nxjerrje dëshmish tronditëse nga jeta, nga
antijeta jonë infernale në burgje, ku me ne ishte dhe ati juaj, në kampet
shfarosëse aushviciane, etj., nga epoka e diktaturës më të egër në Europë dhe e
gjitha kjo u shndërrua dhe në një akuzë të hapur, vazhdim i duhur i ofshamave
dhe akuzave tona ndaj sundimtarëve, krimi shtetëror i të cilëve kishte nisur që
gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku fitimtarët, nga çlirimtarë të vendit, u
shndërruan menjëherë në pushtues të tij, u çlirua Shqipëria dhe shqiptarët u
robëruan më keq se kurrë. Më parë se universitetet ata hapën burgjet dhe
institucionalizuan dhunën duke mos e ndërprerë persekutimin, duke iu ngazëllyer
si sadistë atij, duke e shitur me gjakun tonë si fitore të përgjithshme.
Të rrëfyerit e kësaj, me një polifoni të dhimbshme sot, një kor më tragjik se
ai i antikitetit kështu, kjo hata e madhe nuk mund të durohej dot as si libër
në shekullin XXI në Shqipërinë tonë të vogël nga ata që e bënë apo i shërbyen
asaj diktature dhe nga bijtë e tyre, deputetë, ministra, gazetë, televizion,
pedagogë, antilibra, opinion klanor, presidentë, grupe të kamufluara terrori,
etj., të pasuruar të gjithë, ndoca pas emigrimit të fshehtë duke u bërë dhe
qytetarë të Europës e më tej, etj., etj., kur ne duhej ta duronim diktaturën e
tyre si vuajtje reale në jetë dhe pas saj, si të braktisur dhe të harruar deri
në nëpërkëmbje në postdiktaturë, kur Shqipëria jonë është, si të thuash, në
sistemin demokratik që ëndërruan ish të përndjekurit, ish të burgosurit, por,
për paradoks, pa i dashur ata vetë, gjithandej, me mosdashuri edhe mes nesh.
Idetë dhe dëshirat dhe aleatët idealë të ish të persekutuarve, BE-ja dhe
SHBA-ja po, i duan, por jo neve, ish të persekutuarit dhe mbi vuajtjen tonë
vazhduan, pa asnjë ndjesë a dënim moral, ndryshimin e të dikurshmes në shpëtim
dhe dobi të vetes:
e kam thënë, ne kemi një demokraci me kundershtarët mizorë të demokracisë, njē
kapitalizëm me armiqtë e kapitalizmit, të cilët nga idhtarë të rremë ose jo të
pronës sociale, të përbashkët dhe të askujt, u bënë pronarë të ethshëm, të
dyshimtë, oligarkë të Shqipërisë.
Jeta jonë prapë mbeti e vështirë, në fund të fundit si e të shumtëve, por
shpesh më e pa durueshme, pa drejtësi dhe pa përgjegjës, pa kujtesë dhe të
vërtetat, me moral të rrëzuar. Të mbetur në vetmitë tona që shqetësojmë dhe
vetëm me pranitë, mjafton që jemi dhe shndërrohemi në akuza të gjalla…
I dashur Agron,
S’e di pse u zgjata, nga nevoja për të përsëritur shqetësimet e paqetësuara,
ngaqë e ndjej ikjen Tuaj duke kërkuar azil politik në Zvicër, i sulmuar
banalshëm dhe i kërcënuar deri dhe me jetë, që s’je i vetëm, i bindur që e
ndjeni shumë dhe fatin tonë, të ne që jemi, si të thuash, “lënda e parë” e
Institutit që drejtonit me dinjitet dhe guxim, i pësimit dhe dëshmive të rënda
tonat.
Kur detyrohen të ikin studiuesit e persekutimit nga Shqipëria, ç’duhet të bëjnë
të persekutuarit e mbetur gjallë, që ende u dhembin kockat nga prangat?
Agron,
Kujto atin, kujto të ikur e mëdhenj të mēparshëm, kujto persekutimin e tejmë
dhe merr forcë, na kujtoni ne, nëpërkëmbjen që na bëjnë dhe sulmet e
herëpashershme, edhe mua kujtomë, Mik i dashur, kur më sulmuan me të padrejtë
Presidenti i Republikës, ish-oficeri me armë i diktaturës apo ish-shefi i ikur
i policisë së burgut, shtypësi me hekur dhe gjak i revoltës tonë në burg e të
tjerë barbarë me klanin e tyre e censorët e dikurshëm të poezive tona e deri te
vrasja më e fundit afër shtëpisë së bashkëvuajtësit tonë, që e kishte të
shkruar mbi lëkurën e vet dëshminë dhe akuzën kundër krimit shtetëror, etj.,
etj. Ne u ndjemë sërish të hedhur në arenë si gladiatorët mes bishave.
Ne e kujtojmë që pas sulmit, Ju u ngritët në mbrojtjen tonë, akuzuat si ne duke
rrezikuar.
Prandaj keni dhe mirënjohjen.
Shembujt janë të shumtë.
Kujto prapë revoltat e reja të ish të burgosurve në posdiktaturë, grevat e reja
të urisë, vetëdjegiet martirizuese, heshtjen e tyre të madhërishme, ikjet e
tyre të mëpastajme drejt lirive të tjera dhe merr forcë si Anteu.
Kujto dhe tërmetin e tanishëm, të vrarët dhe gërmadhat e tij që na dhembin,
dimrin jashtë, fëmijët e trembur, njerëzit që bashkohen, mundin e rimëkëmbjes,
botën që s’na lë vetëm në pikëllimin dhe mynxyrën tonë. Kujtohu që është e
pamundur të jesh vetëm, qoftë për mirë, qoftë dhe për keq.
Bota është bërë e vogël, themi shpesh, por të bëhet i madh njeriu, shtoj unë.
Agron,
Ju sërish ngritët një alarm të ri tani duke ikur, të rëndësishëm dhe të duhur
dhe, për fat, të shumtë janë mbështetësit dhe bashkëluftëtarët e kauzës së
përbashkët.
I bindur që do të vazhdoni betejën, si shkrimtar dhe qytetar i lirë në një botë
të lirë, veprimtar i palodhur i të vërtetës dhe i të drejtës, i përulur para
dhimbjes njerëzore, krah për krah me të vuajturit dhe të persekutuarit siç ishe
dhe vetë nga burgu i atit Tuaj, për ta treguar me kurajo e kulturën e duhur të
keqen tonë që ajo të njihet nga të gjithë për të mos u përsëritur ndër të
tjerë, te askush në askund.
SHBA tani ka shtuar dhe Ditën e Kujtesës Botërore, 7 Nëntorin, në nderim të 100
milionë viktimave të komunizmit, ku janë dhe martirët tanë, që kundërshtuan
heroikisht.
Edhe kujtesa jonë duhet t’i shërbejë përvojës dhe përpjekjes për pajtimin e
drejtë dhe paqen e drejtë me historinë dhe veten. Është ende e vështirë.
Mjafton të kujtojmë ceremoninë e rivarrimit të një patrioti të madh dhe
intekektuali të madh, bir i Frashërllinjve që ribënë Kombin, se si u hodhën
egërshane mbetjet e diktaturës, që as vdekja nuk i qetëson. Por nuk duhet
sprapsur. Përpara për të afruar një të ardhme më të mirë se tonën te fëmijët.
Është detyrë ruajtja e tyre, rritja dhe edukimi me dashuri; “Mësomë të dua”
lutej Shenjtja jonë Nënë Terezë dhe Ju bëtë një detyrë ndaj fëmijëve Tuaj, me
përkushtimin dhe sakrificën prindërore. Askush nuk ka të drejtë të qortojë
kërkesën Tuaj për azil, ndërkaq meritoni mbështetjen tonë dhe të të gjithëve.
Ne Ju urojmë mbarësi dhe forcë, durim dhe gëzime bashkë me gëzimet e fëmijëve,
punë dhe art dhe dhimbje që së bashku të bëjmë më të mirën tonë për vendin…
Siç Ju thashë unë jam larg, edhe nga jeta tani, edhe nga bota, siç e dini, jam
vetëm dhimbje, që e ndjen dhimbjen nëpërkudo…
Përqafime vëllazërore,
Visar Zhiti