Hendbolli kosovar ka mbetur pa një personalitet shumë të rëndësishëm.
Të mërkurën ka ndërruar jetë profesor Muhamet Alaj, sinonim i hendbollit në Deçan dhe kontribues shumë i madh i hendbollit kosovar në përgjithësi.
Profesori Alaj ka vdekur në moshën 83-vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër.
Ai ka lënë vepër të jashtëzakonshme për hendbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi, por edhe sa i takon arsimit të brezave dhe dokumentimit të historisë sportive.
Ishte hendbollist i dalluar në klubin Normalisti e më pas për shumë dekada kontribues në pozita e poste të ndryshme në sportin e hendbollit.
Ka bërë të mundur që Deçani të jetë qendër e rëndësishme e hendbollit në Kosovë, falë punës së tij plot përkushtim e pasion.
Nga hendbolli nuk është ndarë deri në fund të jetës, ndërsa vepra që ka lënë do të mundësoi që të kujtohet gjithnjë me respektin maksimal.
Profesor Alaj është nderuar nga Federata e Hendbollit të Kosovës me Mirënjohje për Vepër Jetësore.
Ishte selektor i Kosovës në vitet 1980-ta.
Ka qenë anëtar i Bordit të FHK-së në disa mandate, ndërsa ka dhënë kontribut të çmuar edhe në pavarësimin e hendbollit kosovar.
Shumë lojtarë janë zbuluar nga profesori Alaj, që ka jetuar me hendbollin e për hendbollin.
Familjen shumë të respektuar Alaj dhe komunitetin e hendbollit në Deçan, në emër të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe familjes kosovare të hendbollit e ngushëllon presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini.