Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut.
Myrto Uzuni dhe Juljan Shehu dolën në një konferencë për mediat nga stadiumi “Air Albania”, ku folën për dy sfidat e muajit qershor, fillimin e ciklit të ri me trajnerin Rolando Maran, atmosferën pozitive brenda grupit dhe objektivat e Kombëtares në kompeticionet e ardhshme.
Myrto Uzuni foli për fillimin e ciklit të ri të Kombëtares nën drejtimin e trajnerit Maran, duke vlerësuar qasjen më ofensive të stafit të ri dhe konkurrencën e lartë brenda grupit. Sulmuesi kuqezi theksoi gjithashtu se objektivat e ekipit mbeten të qarta: vendi i parë në Nations League dhe kualifikimi në Kampionatin Europian.

Si ka qenë takimi i parë me trajnerin e ri dhe si është atmosfera në ekip? – Normalisht që është staf i ri, edhe sistemi është më ndryshe. Me trajnerin e ri mund të luaj më ofensiv. Siç ka ndodhur më parë, kur ka pasur trajner ofensiv, kemi shënuar më shumë gola.
E ardhmja, qëndrim në Amerikë apo do të rikthehesh në Europë? – Kam kontratë me ekipin e Austin. Kam pasur një ofertë shumë të mirë në janar, ka qenë pothuajse i mbyllur si transferim, por në fund është prishur, sepse te Austin nuk kishte shumë prurje.
Cikël i ri me trajnerin Maran? – Normalisht, secili do të tregojë veten. Të gjithë kanë kualitet dhe të gjithë lojtarët mund të luajnë titullarë, pasi janë lojtarët më të mirë të Shqipërisë dhe, siç e thashë, të gjithë kanë mundësi të luajnë titullarë.
Siç e thashë edhe më parë, i uroj suksese trajnerit Silvinjo, kemi pasur suksese së bashku. Për sa i përket trajnerit të ri, siç e shihni nga eksperienca me skuadrat ku ka qenë, sulmuesit e tij kanë shënuar shumë gola dhe uroj që kjo të ndodhë edhe në Kombëtare.
A i keni edhe ju, si trajneri, të njëjtat objektiva, vendin e parë në Nations League dhe kualifikimin në Euro 2028? – Kur luan në ekipin Kombëtar, gjithmonë ke qëllime, sepse po luan për kombin. Duam të dalim të parët në Nations League dhe të kualifikohemi për në Europian. Këto janë qëllimet që na shtyjnë përpara. Nëse një lojtar nuk e ka urinë dhe dëshirën për të luajtur në Europian dhe për të fituar, atëherë nuk është i mirëpritur në ekipin Kombëtar.
Juljan Shehu foli për ardhjen e trajnerit të ri në krye të kombëtares, konkurrencën në skuadër dhe rëndësinë e këtyre takimeve në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e Ligës së Kombeve në shtator.
Pozicionimi i Shehut në fushë me ardhjen e Maran – Çdo trajner ka idetë dhe mendimet e veta për sa i përket pozicionimit të lojtarëve në fushë. Nuk e di ende nëse do të luaj më përpara apo në të njëjtin pozicion. Unë do të vazhdoj të jap maksimumin për Kombëtaren dhe të kontribuoj sa më shumë për ekipin. Nëse do të luaj më përpara, do të jap më të mirën time, por edhe nëse do të vazhdoj në të njëjtin rol, do të bëj sërish maksimumin.
A duhet të ndryshojnë disa gjëra në Kombëtare me ardhjen e Maran? – Çdo trajner që vjen në ekipin kombëtar ka idetë e veta dhe dëshiron ta ndërtojë skuadrën sipas filozofisë së tij. Normalisht që mund të ketë ndryshime, pasi është një trajner i ri dhe kjo është krejtësisht normale.

Rëndësia e miqësoreve ndaj Izraelit dhe Luksemburgut në kuadër të sfiave te shtatorit – Shpresoj që këto dy ndeshje të jenë shumë të rëndësishme për ne në aspektin e vazhdimësisë që do të kemi në Ligën e Kombeve në shtator. Janë dy sfida të rëndësishme dhe ne duhet të bëjmë maksimumin për të krijuar identitetin tonë me trajnerin e ri.
Prurjet e reja dhe rritja e konkurrencës – Çdo lojtar i ri që vjen në ekipin kombëtar e meriton të jetë këtu. Çdo pozicion dhe çdo vend në Kombëtare është i hapur për të gjithë. Do të luajë ai që e meriton më shumë dhe konkurrenca i bën mirë ekipit.