Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të nënshkruajë dy urdhra ekzekutivë që synojnë të pengojnë marrjen e shtetësisë amerikane nga foshnjat që lindin në Shtetet e Bashkuara në kuadër të të ashtuquajturit “turizëm i lindjeve”, raportoi Axios.
Sipas raportit, shtetësinë amerikane nuk do ta marrin as fëmijët e disa punonjësve diplomatikë të huaj që lindin në SHBA dhe, potencialisht, edhe në territoret amerikane në të ardhmen.
Programi i presidentit amerikan parashikonte një ceremoni për nënshkrimin e dokumenteve në Zyrën Ovale në orën 15:55 sipas orës së Uashingtonit, por sipas Axios, edhe 55 minuta më vonë aktiviteti nuk kishte nisur ende.
Aktualisht nuk ekziston një ligj që ndalon në mënyrë të drejtpërdrejtë “turizmin e lindjeve”. Megjithatë, një rregullore federale që hyri në fuqi në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Trump, ndalon përdorimin e vizave të përkohshme turistike apo të biznesit me qëllimin për t’u siguruar shtetësinë amerikane fëmijëve që lindin në SHBA.
Personat e përfshirë në forma të tilla të “turizmit komercial të lindjeve” mund të përballen me akuza për mashtrim ose vepra të tjera penale.
Nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e grave të huaja që kanë udhëtuar drejt SHBA-së për të lindur me qëllim që fëmijët e tyre të përfitojnë shtetësinë amerikane. Po ashtu, mbetet e paqartë edhe kostoja që kjo praktikë ka për taksapaguesit amerikanë.
Qendra për Studimet e Emigracionit, e cila mbështet politika më kufizuese ndaj emigracionit, vlerësoi në një analizë të vitit 2020 se gjatë periudhës 2016-2017, rreth 20 mijë deri në 25 mijë gra shkuan në SHBA për këtë arsye.
Sipas të dhënave, gjatë vitit 2025 në Shtetet e Bashkuara u regjistruan rreth 3.6 milionë lindje. /Panorama