Futbolli kosovar ka pësuar një goditje të madhe në arenën evropiane, pasi Ballkani, Malisheva dhe Dukagjini janë eliminuar në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, duke lënë Dritën si të vetmen përfaqësuese të Kosovës në garat evropiane.
Eliminimi i tre skuadrave do të thotë se tashmë e gjithë pesha për mbledhjen e pikëve të koeficientit të Superligës së Kosovës bie mbi Dritën, e cila vazhdon rrugëtimin e saj në Evropë.
Pavarësisht eliminimit, klubet kosovare kanë siguruar përfitime të rëndësishme financiare nga pjesëmarrja në garat evropiane.
Ballkani dhe Malisheva do të arkëtojnë nga 700 mijë euro secila, ndërsa Dukagjini përfiton 525 mijë euro.
Ndërkohë, Drita deri më tani ka siguruar 1 milion e 335 mijë euro nga pjesëmarrja në garat evropiane. Nëse kampionët e Kosovës arrijnë të eliminojnë Tre Fiorin dhe të avancojnë më tej, përfitimet financiare të klubit gjilanas do të kalojnë shifrën e 2 milionë eurove.