Trajneri i përkohshëm i Italisë, Silvio Baldini, ka bërë të ditur se synon të ftojë vetëm lojtarë nga kombëtarja U21 për ndeshjet miqësore të qershorit kundër Luksemburgut dhe Greqisë, ndërsa ka shpjeguar se trajnerët në Serie A duhet të gjejnë ekuilibrin mes rezultateve dhe dhënies së mundësive për të rinjtë.
Baldini do ta drejtojë Italinë në miqësoret ndaj Luksemburgut më 3 qershor dhe Greqisë më 7 qershor, të dyja jashtë fushe.
Këto ndeshje do të zhvillohen në terminët që do të ishin rezervuar për përgatitjet e Botërorit, sikur Italia të ishte kualifikuar.
Megjithatë, pas dështimit ndaj Bosnje dhe Hercegovinës në finalen e “play-offit” të Botërorit në fund të marsit dhe dorëheqjes së trajnerit Gennaro Gattuso, Italia pritet të grumbullojë një skuadër të re për miqësoret e qershorit, ndërsa Baldini ka konfirmuar se lojtarët do të vijnë nga U21.
“Duke qenë trajner i U21 dhe pas dorëheqjes së Gattusos, do të ftoj vetëm lojtarë nga U21 për dy miqësoret kundër Luksemburgut dhe Greqisë. Është një akt logjike, jo guximi,” deklaroi Baldini gjatë prezantimit të çmimit “Maurizio Maestrelli” të martën.
“Duhet të dish të zgjedhësh njerëzit e duhur. Kur mora propozimin, i thashë presidentit Gravina: ‘Pranoj, por do të marr U21-shat’. Dua të vlerësoj punën time dhe gjithashtu të tregoj kush janë këta djem.”
Raportimet e fundit tregojnë se kapiteni i Italisë, Gianluigi Donnarumma, është vënë në dispozicion për miqësoret e qershorit, por mbetet të shihet nëse do të ftohet.
Baldini foli edhe për karrierën e tij si trajner. 67-vjeçari ka mbajtur 20 poste të ndryshme si trajner në një karrierë të gjatë dhe të ngjarshme, por vetëm një herë ka qëndruar më shumë se dy sezone në të njëjtin klub.
“Secili ka historinë e vet. Unë kam rrugën time. Nuk do të thosha se është e komplikuar, por kam përjetuar situata të caktuara që në moshë të re dhe gjithmonë kam qenë në mbrojtje. Kur krijohen këto situata, e di që nxjerr versionin më të keq të vetes, ndaj është më mirë të largohem,” shpjegoi ai.
Më pas, trajneri i përkohshëm dha mendimin e tij për problemet e fundit te kombëtarja italiane dhe thirrjet që të rinjtë të marrin më shumë hapësira në Serie A.
“Të gjithë këta djem duhet të kuptojnë se për të qenë lojtarë të kompletuar, duhet të luash për kolektivin, duhet të jesh grup. Dhe për të qenë grup, duhet të respektosh rregullat. Ato nuk janë imponime, por i bëjnë njerëzit më të disiplinuar.
“Flasim shumë për nevojën që të rinjtë të luajnë dhe për të pasur guxim, por pastaj themi se rëndësi ka vetëm rezultati. Nëse nuk fiton, rruga nuk ka vlerë. Është e vështirë t’u mësosh njerëzve se nuk luan vetëm për rezultatin.
“Të gjithë themi se rëndësi ka fitorja, jo pjesëmarrja, se vendi i dytë është humbësi i parë. Nëse vazhdojmë me këtë mentalitet, më tregoni si duhet t’i ndihmojmë të rinjtë të rriten, të kenë guxim dhe të mos kenë frikë. Nuk është e lehtë t’i kombinosh këto dy gjëra.
“Kam shumë vite që trajnoj dhe kam përfunduar në një situatë që nuk e kisha imagjinuar kurrë”, e mbylli ai./GazetaExpress/