Një ish-kapiten i Real Madridit ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj emërimit të José Mourinhos si trajner i ardhshëm i “Los Blancos”.
Pavarësisht se është nën kontratë me Benfican deri në vitin 2027, është raportuar gjerësisht se Mourinho – i cili më parë e ka drejtuar Real Madridin nga viti 2010 deri në 2013 – pritet të rikthehet në klub pas përfundimit të sezonit 2025/26.
Mourinho i udhëhoqi gjigantët spanjollë drejt titullit të La Ligës dhe Kupës së Mbretit gjatë kohës së tij në Madrid, ndërsa më pas ka drejtuar Chelsean, Tottenham Hotspurin, Manchester Unitedin, Roman, Fenerbahçen dhe aktualisht Benfican.
Megjithatë, trofetë e tij janë pakësuar që nga largimi nga Manchester United në vitin 2018 – ku fitoi Kupën e Ligës dhe Ligën e Evropës në vitin 2017 – me triumfin në Ligën e Konferencës me Romën në vitin 2022 si e vetmja arritje e madhe që atëherë.
Trajneri portugez mbetet ende një nga më të kërkuarit në futbollin evropian.
Pas raportimeve të javës së kaluar për një përplasje mes Aurélien Tchouaméni dhe Fede Valverde, që sugjerojnë mungesë harmonie dhe disipline në skuadrën e Madridit, shumë besojnë se një figurë si Mourinho mund të jetë pikërisht ajo që i duhet Real Madridit.
Megjithatë, ish-portieri dhe kapiteni i Real Madridit, Iker Casillas, i cili ka bërë 725 paraqitje për klubin nga viti 1999 deri në 2015, nuk e ndan këtë mendim.
Fituesi i trefishtë i Ligës së Kampionëve reagoi në rrjetet sociale të martën (12 maj).
Casillas filloi: “Kur @realmadrid kalon dy sezone pa fituar një trofe, është koha për t’u shqetësuar. ‘El Clásico’ ishte tashmë i vështirë edhe para se të luhej. Le të shohim përpara për sezonin e ardhshëm dhe të harrojmë këtë që po mbyllet”.
Duke iu referuar lidhjeve me rikthimin e mundshëm të Mourinhos, ai shtoi: “Nuk kam asnjë problem me Mourinhon. Më duket një profesionist i shkëlqyer. Nuk e dua në Real Madrid. Mendoj se trajnerë të tjerë do të ishin më të përshtatshëm për klubin e jetës sime. Mendim personal. Asgjë më shumë”.
Real Madridi kthehet në aksion në La Liga kundër Real Oviedo më 14 maj./GazetaExpress/