Tmerri i trefishtë kosovar nga një virus - Gazeta Express
string(40) "tmerri-i-trefishte-kosovar-nga-nje-virus"

Tmerri i trefishtë kosovar nga një virus

Gazeta Express

29/07/2020 9:04

Nuk kemi tjetër zgjidhje, pos që të nisim të bashkëpunojmë në mes veti, me qëllim që në javët e ardhshme, të nisë zvogëlimi i numrave ditor të infektuarve.

Blerim Shala

Lexo Edhe:

Shumë prej nesh e dinë atë rrëfimin anekdotik për atë kultivuesin e pasuksesshëm të pulave dhe këshilltarin e tij, idetë e të cilit, secila prej tyre, ishte më e gabuar se tjetra, prandaj kishte pasoja të rënda për këtë ndërmarrësin e vogël të cilit i kanoset edhe falimentimi.

Këshilltari në atë takimin e tyre të fundit, kur ky prodhuesi i dështuar i pulave sërish i paraqitet për një mendim të ri se si t’ia bëjë për t’iu qepur suksesit, i drejtohet me fjalë: ‘Unë ide të reja kam sa të duash, ama nuk di a ke ti më pula që i përballojnë këshillave të mia…’.

Natyrisht, çdo krahasim i ka të metat e veta dhe çdo ngjashmëri i ka kufizimet e pashmangshme, por duket që raporti i Qeverisë së Kosovës me qytetarët e këtij shteti, tash e disa javë së paku, në esencë, po i përngjet këtij kallëzimi, teksa në këtë rastin tonë, kemi të bëjmë me jetën e njerëzve, me shëndetin publik, me sigurinë e shtetit, stabilitetin ekonomik dhe qëndrueshmërinë disavjeçare të shtetit të Kosovës.

Të gjitha këto pra janë në pyetje: jeta e secilit prej nesh, shëndeti dhe mirëqenie e të gjithë neve, stabiliteti i këtij shteti.

Rrallëherë ndodhë një përputhje e këtillë e përsosur e një interesi individual, atij të gjithë shoqërisë dhe e një shtetit.

Nuk ndodhë shpesh as që një virus i vetëm, t’i përngjet asaj dukurisë së ‘Shtrëngatës së përsosur’  (‘Perfect storm’), e cila ka potencialin e këtillë shkatërrimtar për të gjithë.

Ta merr mendja që ky virus është ajo ‘dhurata’ e fundit e harruar nga Arka e Pandorës, prej të cilës kanë dalë të gjitha të këqijat e mundshme për njeriun.

Edhe pse jemi të gjithë viktima potenciale të këtij virusi, edhe pse dihet ajo ‘trinia e shenjtë’ për mbrojtjen prej përhapjes së tij  (maskat, distanca sociale dhe higjiena personale), asgjë nuk po na le shenjë, si qytetarë të këtij vendi, dhe ne po vazhdojmë të sillemi thuajse ne dhe të afërmit tonë kemi ndonjë imunitet të panjohur për të tjerët  (besa edhe për gjithë Botën), dhe që nuk do të na gjejë gjë.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, kjo aktualja e Kryeministrit Hoti, që prej fillimit të qershorit e deri tash, ka miratuar me gjasë dhjetëra masa me qëllim të zmbrapsjes së Pandemisë së Covid-19. Secila pako e masave që është aprovuar në Qeverinë e Kosovës, ka pasur të njëjtin synim: Uljen e numrave të infektuarve, ruajtjen e kapaciteteve të mjekësisë publike, ushtrimin e një kontrolli mbi këtë sëmundje, teksa akoma nuk ka ilaç, kur ende nuk është zbuluar vaksina.

Këto masa deri më tash së paku, nuk patën kurrfarë efekti pozitiv. Përkundrazi.

Numrat e të sëmurëve për çdo ditë po marrin përmasat e papara jo vetëm në rajon, por edhe në gjithë Evropën  (në krahasim me numrin e popullatës).

Të gjitha thirrjet, lutjet dhe apelet e Qeverisë nuk po kanë asnjë rezultat të vetëm.

Spitalet janë të mbushura me të sëmurë. Sheshet janë plotë qytetarë. Kafenetë dhe restorantet janë të mbipopulluara.

Në anën tjetër, të gjithë flasin për virusin. Dhe të gjithë janë të pakënaqur me gjithçka: Me masat e Qeverisë të cilat kush nuk i respekton. Me këtë të keqe që na ka gjete të gjithë neve  (dhe mbarë Rruzullin Tokësor). Me rënien ekonomike dhe tregtare. Me mungesën e bashkatdhetarëve të cilët sivjet nuk patën mundësi të vijnë në atë numrin e rëndomtë. Me prishjen e jetës normale.

Me të gjithat.

Dhe asgjë nuk na bie tamam.

Është ky një tmerr i shumëfishtë me të cilin po ballafaqohemi të gjithë ne javëve të fundit.

Në njërën anë, kemi këtë dyndje të përhapjes së infektimit, e cila me siguri është disafish më e pranishme në realitet, sesa që saktësohet me këto Raportimet e përditshme zyrtare.

Në anën tjetër, është tmerr në vete pafuqia e një Qeverie që t’i bindë qytetarët e vet, pse duhet t’i respektojnë masat e saja për kundërvënien ndaj këtij ‘marshi të Coronavirusit’.

Së fundit, e kemi edhe këtë tmerrin e bërë prej pakujdesisë së paparë të qytetarëve të Kosovës ndaj sëmundjes që i kërcënon me jetë.

Ky virus është një sprovë krejtësisht e re për secilin shtet, për çdo shoqëri.

Përballja me te nuk ka mundur të parashikohet me Kushtetutë dhe me Ligje shtetërore dhe me Konventa ndërkombëtare.

Refuzimi për t’i respektuar masat dhe veprimet e Qeverisë së Kosovës, nuk mund të ndëshkohet dhe të penalizohet sikurse ndodhë rëndom me ato të këqijat dhe kërcënimet e njohura, si te ne, ashtu edhe në çdo shtet demokratik.

Këtu shumë më tepër jemi  (tutje), në një ‘territor’, apo hapësirë morale, se sa në atë penale.

Mosrespektimi i këtyre masave pra, nëse mund të thuhet ashtu, është një ‘Vepër morale’, e jo ‘Vepër penale’.

Moralja zaten gjithmonë është më e fuqishme, më e thellë, më ndikuese, se sa penalja.

Kështu është në çdo shoqëri. Kështu do të duhej të jetë edhe ndër ne, në Kosovë.

Zaten, në vitet e nëntëdhjeta, siç thoshim të gjithë ne  (me të drejtë), ai ‘pushteti moral’ i shqiptarëve të Kosovës, pati ngadhënjyer, ndaj atij pushteti brutal të Serbisë.

Po mos ishte kjo fitore, nuk do të justifikohej paraqitja e UÇK-së dhe intervenimi ushtarak i Aleancës Veri-Atlantike.

Në anën tjetër, duket që është gabim të mendohet për ndryshimin e qasjes së Qeverisë së Kosovës, apo, që tash e tutje, të mendohet më shumë për marrjen me pasojat e Pandemisë, e jo me parandalimin e saj, apo, me zvogëlimin e saj.

Kot e kemi edhe nëse i zgjerojmë kapacitetet e spitaleve tona, edhe nëse i kthejmë në spitale objektet publike që nuk shfrytëzohen më, madje, edhe nëse e bëjmë mrekullinë e ndërtimit të spitaleve brenda natës.

Ne thjeshtë, nuk kemi mjek dhe staf mjekësor  (në përgjithësi), për këto spitale të reja, ku do të trajtoheshin mijëra kosovarë që do të sëmuren tash e tutje.

Nuk mund të ndryshohet strategjia e kundërvënies ndaj këtij virusi, e cila (strategji) na ka ardhur e gatshme prej Perëndimit.

Nuk kemi tjetër mundësi apo tjetër opsion, pos që të nisim të bashkëpunojmë në mes veti, me qëllim që në javët e ardhshme, të nisë zvogëlimi i numrave ditor të infektuarve.

Në pranverë kishim shpresën që stina e verës do të jetë shumë më e volitshme për minimizimin e pasojave të virusit. Nuk na doli ashtu  (jo vetëm neve).

Çfarë është absolutisht e sigurt është që vjeshta dhe dimri do të jenë më të rëndë, madje, shumë më të rëndë se sa vera. Nëse nuk mbledhim mend.

Do ta harrojmë këtë verë. Do ta kujtojmë madje për të mirë. Siç po e kujtojmë tani  (për të mirë), pranverën e këtij viti.