T’i mbulosh dallaveret me flamur - Gazeta Express
string(31) "ti-mbulosh-dallaveret-me-flamur"

OP/ED

Gazeta Express

29/11/2021 19:39

T’i mbulosh dallaveret me flamur

OP/ED

Gazeta Express

29/11/2021 19:39

Jo veç politika përpiqet që në festa, si kjo e 28 Nëntorit, t’i mbulojë dallaveret e veta me flamurin kuq e zi. Me flamur mbulohen edhe hajnia e keqpërdorimet, padituria e jokompetenca, arroganca e interesat personale.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Thuajse rastësisht “spiunova” të hënën në një njërën nga faturat e shërbimeve publike, të një fqinji tim. Borxhi që shënonte në të ishte katërshifror. Zotëriu, që ka një punë të mirë në shtet, dukej të mos e kishte marrë mundin me muaj të tërë që të paguante shërbimin që ofron një kompani publike.

Por, ai qysh para gati një jave ka vendosur në ballkon një flamur kuq e zi, në vigjilie të 28 Nëntorit. Po ashtu, bashkë me familjen, të premten ka udhëtuar drejt Shqipërisë, për të festuar sa më denjësisht Ditën e Flamurit. Me vendim të qeverisë, ndonëse jo festë zyrtare, e hëna është shpallur ditë pushimi. Një arsye më shumë që fqinji të festojë sa më mirë e sa më gjatë.

Të merremi vesh, nuk jam xheloz që ai ka zgjedhur të kënaqet për festë, siç kanë festuar në mënyra të ndryshme mijëra të tjerë. Por, po, nuk kam si të mos frustrohem kur kuptoj se ai nuk e ka kryer obligimin qytetar ndaj shërbimit që ka marrë, ndërkohë që ndëshkimi nga kompania, për shkak të borxheve të grumbulluara nga banorë të papërgjegjshëm, shpesh di të jetë kolektiv për gjithë ndërtesën.

Nuk jam xheloz as për fqinjin tjetër, që mban një kafeteri në lagje dhe i cili, po ashtu, ka vënë në tarracën e lokalit një flamur të madh kuq e zi. Ka punë boll, por rrallë e veç formalisht pren ndonjë kupon fiskal. Ndërkaq kamarierët i ndërrohen çdo ditë në mungesë të një page të dinjitetshme.

Nuk dua të paragjykoj mënyrën se si njerëzit ndjejnë dhe festojnë, por vetëm po përpiqem të nxjerr në pah hipokrizinë e një pjese të madhe të njerëzve të cilët, si në rastin e 28 Nëntorit, nuk kursejnë të shfaqen patriotë shkuar patriotësh, ndërkohë që janë qytetarë të këqij dhe borxhli ndaj shtetit në të cilin jetojnë dhe nga i cili paguhen.

* * *

Ndryshe nga java e kaluar, të hënën nuk i dëgjova të ankohen as përfaqësuesit e sindikatës së famshme të SBASHK’ut. E di, është utopike të presësh nga ta që të ngrenë zërin kur bëhet fjalë për dëmtimin e interesave të nxënësve. Ta zëmë, një sindikatë e përgjgjegjshme do të duhej të reagonte pse nxënësit nuk shkojnë në shkollë në një ditë që nuk është festë zyrtare. Por, jo. Ata nuk reagojnë kur nuk preket direkt interesi i tyre. Ata dinë të shantazhojnë, por jo të tregohen bashkëpunues, pse jo edhe inicues të procesit të vlerësimit të mësimdhënësve.

Të hënën nuk i dëgjova të ngrenë zërin as përfaqësuesit e sindikatës së shërbyesve civilë. Të paktën të thonë se është e panevojshme që shërbimi civil të pushojë të hënave, në rastet kur festat bijnë të dielave. Pra, një shërbim civil i stërmbushur njerëz, ndër të cilët plot dembelë e jokompetentë, pushon në ditë pune sepse sistemi është i tillë dhe ua ka krijuar këtë komoditet. Por, sistemi ndërrohet dhe duhet të ndërrohet – nevojitet veç vullnet.

Ndërkohë për sektorin privat në masë të madhe nuk vlejnë rregullat e qeverisë sa i përket festave dhe pushimeve. Kompanitë nuk kanë hezituar që në rrjetet sociale të urojnë për festën, me fotografi e emblema kuq e zi, por plot nga to vazhdojnë të punojnë gjysmilegalisht, të mos lëshojnë kuponë fiskalë e të mos paguajnë taksa, të mos i respektohjnë të drejtat e punëtorëve.

* * *

Për pjesën më të madhe të politikanëve mbase është e tepërt të flitet. Festat si këto atyre iu shërbejnë për një katarsis, për një shpëlarje nga mëkatet politike – nga premtimet e parealizuara, nga veprimet që dëmtojnë shtetin, nga dallaveret që iu janë kthyer në mënyrë jetese. Mjafton të lexohen porositë e tyre “kuq e zi” nëpër rrjetet sociale për të parë se si plot nga ta, pa pikë marre, vazhdojnë të japin leksione për bashkim kombëtar, patriotizëm e atdhedashuri, ndërkohë që aktet e vetme “patriotike” që kanë bërë ndonjëherë janë ato që i kanë pasuruar duke dëmtuar vendin. Përpjekjet që me flamurin kuq e zi t’i mbulojnë dallaveret janë sa irrituese, aq arrogante.

Sepse, patriotë sot janë ata që punojnë ndershëm, nuk e vjedhin shoqërinë e shtetin. Ata që paguajnë faturat e shërbimeve që i marrin, ata që nuk ngurrojnë të marrin bajrakun e ndryshimeve për arsim e shëndetësi më të mirë, ata që nuk promovojnë dembelinë e mungesën e kompetencës. Patriotë sot janë ata që promovojnë punën e ndershme, që nuk i mbeten borxh punëtorit e shtetit, ata që punojnë me transparencë e janë llogaridhënës.

Natyrisht, patriot mund të jetë edhe fqinji im, por vetëm pasi ta ketë paguar faturën katërshifrore.