Takimi Hoti - Macron në Paris për dialogun me Serbinë nis në orën 11:30 - Gazeta Express
string(71) "takimi-hoti-macron-ne-paris-per-dialogun-me-serbine-nise-ne-ora-11-e-30"

Takimi Hoti – Macron në Paris për dialogun me Serbinë nis në orën 11:30

Gazeta Express

07/07/2020 11:04

Kryeministri Avdullah Hoti, mbrëmë, ka udhëtuar drejt Parisit për takimin që sot do të ketë me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Takimi Hoti-Macron do të fillojë në orën 11:30 në pallatin presidencial të Elizesë. Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar, Xhavit Beqiri, nga Kryeministria.

Lexo Edhe:

“Kryeministri Hoti bashkë me presidentin Macron do të nisin takimin në ora 11: 30. Pas këtij takimi, zyra e Kryeministrit do të tregojë se për çfarë është diskutuar”, ka thënë ai.

Ky takim mes Hotit dhe Macronit në kryeqytetin francez, i paraprin Samitit virtual të Parisit, në të cilin do të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e që do të mbahet më 10 korrik.

Ndërkohë pas kësaj video-konference me Merkel dhe Macron, Hoti do të udhëtojë drejt Brukselit më 12 korrik për të marrë pjesë në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili do të ndërmjetësohet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell.

“Në takim do të rinisin diskutimet për të punuar në arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjore e obligative për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke u marrë me të gjitha çështjet e pazgjidhura”, thuhet në njoftimin e Brukselit.

Kjo iniciativë e ngjeshur e Brukselit vjen pas dështimit të takimit të Washingtonit i cili ishte iniciuar nga emisari i Trump, Richard Grenell.

Tashmë nga Washingtoni pritet të caktohet një datë e re e takimeve, derisa në Kosovë me gjasë do të ketë një rikompozim institucional, pasi që presidenti i vendit nuk do të mund të udhëtojë drejt SHBA-së, pas bërjes publike të propozim-aktakuzës së Speciales. /Express/