Chelsea ka ndryshuar rrënjësisht strategjinë e saj në merkato.
Pas disa vitesh të përqendrimit te transferimi i talenteve të rinj, klubi londinez tani po kthen vëmendjen te futbollistët me përvojë.
Danny Welbeck, 35 vjeç, është zyrtarisht lojtar i Chelseat, ndërsa së fundmi iu bashkua edhe Jordan Henderson, 36 vjeç.
Sipas gazetës britanike “The Athletic”, këto lëvizje kanë befasuar shumë njerëz.
Që nga janari i vitit 2023, pronarët Todd Boehly dhe Clearlake kishin ndërtuar projektin mbi afrimin e lojtarëve të rinj me potencial zhvillimi. Tani, duket se klubi ka vendosur të ndryshojë drejtim.
Në fakt, edhe pas marrjes së klubit në maj të vitit 2022, Chelsea kishte afruar futbollistë me përvojë si Raheem Sterling (27 vjeç), Kalidou Koulibaly (31) dhe Pierre-Emerick Aubameyang (33).
Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk arriti të justifikonte pritshmëritë.
Koulibaly dhe Aubameyang u larguan pas vetëm një sezoni, ndërsa Sterling nuk arriti të bindte dhe u largua zyrtarisht në janar, ndonëse ndeshjen e fundit me Chelsean e kishte zhvilluar që në maj të vitit 2024.
Dështimi i këtyre transferimeve bëri që drejtuesit të ndryshonin strategjinë në fillim të vitit 2023. Gjatë tri sezoneve të fundit, Chelsea ka pasur moshën mesatare më të re në Premierligë, por rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e pritshëm.
Klubi përfundoi në vendin e gjashtë, të katërt dhe të dhjetë në kampionat, ndërsa momentet më pozitive ishin fitimi i Ligës së Konferencës dhe Kupës së Botës për Klube.
Statistikat tregojnë qartë filozofinë e deritanishme.
Në sezonin 2025/26, lojtari më i vjetër që përfaqësoi Chelsean ishte Tosin Adarabioyo, vetëm 28 vjeç.
Pikërisht për këtë arsye, afrimi i Welbeck dhe Henderson përfaqëson një ndryshim të madh në qasjen e klubit.
Trajneri i ri Xabi Alonso, i emëruar në muajin maj, nuk konsiderohet si njeriu i vetëm pas kësaj strategjie të re.
Bashkëpronari Behdad Eghbali kishte paralajmëruar ndryshime që në prill, gjatë Kongresit Botëror të Sportit CAA në Los Angeles.
“Ekziston një plan. Ne e analizojmë vazhdimisht dhe përpiqemi ta përmirësojmë nëse nuk po funksionon. Duhet të jemi më të mirë në disa aspekte dhe të sjellim më shumë lojtarë të gatshëm për këtë fazë të projektit, në mënyrë që ta çojmë ekipin në nivelin tjetër dhe të kemi vazhdimësi. Jemi të vetëdijshëm se kemi nevojë për ekuilibër. Një model duhet përshtatur, përmirësuar dhe duhet të mësojmë nga gabimet”, deklaroi Eghbali.
Edhe ish-trajneri Liam Rosenior kishte identifikuar një problem serioz te skuadra kur mori drejtimin në janar.
Sipas burimeve të “The Athletic”, ai u kishte thënë lojtarëve në takimin e parë se mungesa e pjekurisë emocionale po i kushtonte ekipit shumë pikë.
Ai kishte vënë re se Chelsea dominonte ndeshjet, por sapo ndodhte një vendim i diskutueshëm i arbitrit ose pësonte një gol, skuadra humbiste përqendrimin për 10 deri në 15 minuta dhe shpesh edhe ndeshjen.
Rosenior u kërkoi lojtarëve ta ndryshonin këtë mentalitet, por sipas raportit, përgjigjja nuk erdhi kurrë.
Një shembull i qartë ishte humbja ndaj Paris Saint-Germain në fazën e 1/16 së finales së Ligës së Kampionëve. Pas një gabimi të portierit Filip Jorgensen në minutën e 74-t, Chelsea u shpërbë plotësisht dhe humbi përballjen me rezultat të përgjithshëm 8-2. Po ashtu, sjellja e Pedro Netos, i cili shtyu një mbledhës topash, u konsiderua një tjetër tregues i mungesës së pjekurisë.
Disiplina ka qenë gjithashtu një problem serioz. Chelsea përfundoi dy herë në fund të renditjes së “Fair Play” gjatë tri sezoneve të fundit, ndërsa një herë tjetër ishte skuadra e dytë më e dobët. Edhe liderët e ekipit, Enzo Fernandez dhe Moises Caicedo, shpesh janë përfshirë në debate me gjyqtarët.
Kur drejtuesit zhvilluan bisedimet me Xabi Alonson për postin e trajnerit, spanjolli ngriti pikërisht të njëjtin shqetësim: skuadra kishte nevojë për më shumë lojtarë me mentalitet fitues dhe personalitet të fortë. Sipas raportit, të gjitha palët ishin në një mendje që nga dita e parë.
Gjatë turneut parasezonal në Sydney, Alonso shpjegoi edhe filozofinë e tij.
“Për mua, duhet të ekzistojë balanca e duhur mes karaktereve dhe fazave të ndryshme të karrierës. Duhet të kesh lojtarë në fillim të të njëzetave, në fillim të të tridhjetave dhe të tjerë në mes, sepse secili sjell diçka ndryshe.”
Chelsea nuk mbeti vetëm te fjalët. Në këtë merkato klubi vendosi të transferojë futbollistë të gatshëm nga pesë kampionatet më të forta të Evropës.
Nuk bëhet fjalë vetëm për moshën. Maxence Lacroix, 26 vjeç, përmbush profilin që kërkon klubi pas dy sezoneve të zhvilluara në Premier League me Crystal Palace. E njëjta gjë vlen edhe për Morgan Rogers, i cili u transferua nga Aston Villa për 117 milionë funte, duke u bërë blerja më e shtrenjtë në historinë e Chelseat.
Edhe 21-vjeçari Marco Palestra konsiderohet pjesë e kësaj filozofie, pasi u shpall mbrojtësi më i mirë i Serie A në sezonin 2025/26 gjatë huazimit te Cagliari.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe do ta marrin Henderson dhe Welbeck.
Chelsea beson se Henderson do të ndikojë pozitivisht në rritjen e standardeve si në stërvitje ashtu edhe në ndeshje. Ai shihet si një lider që motivon bashkëlojtarët pa i kritikuar publikisht dhe që kërkon nga të tjerët vetëm atë që është i gatshëm ta bëjë vetë.
Megjithatë, drejtuesit janë të bindur se nëse skuadra zhvillon një pjesë të parë të dobët, Henderson nuk do të hezitojë të flasë hapur në dhomën e zhveshjes dhe të kërkojë reagim nga bashkëlojtarët./GazetaExpress/