Tahiri: Kapja e prokurorisë i duhet Albin Kurtit për ta mbrojtur Martin Berishajn - Gazeta Express
string(80) "tahiri-kapja-e-prokurorise-i-duhet-albin-kurtit-per-ta-mbrojtur-martin-berishajn"

Tahiri: Kapja e prokurorisë i duhet Albin Kurtit për ta mbrojtur Martin Berishajn

Lajme

Gazeta Express

25/03/2023 14:21

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi ta rrëzojë Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ka treguar se kryeministri Albin Kurti nuk ka arritur ta përvetësojë një institucion të rëndësishëm siç është KPK-ja.

Në një konferencë për media të shtunën, Tahiri ka akuzuar Kurtin se ka tentuar ta vendosë nën kthetra KPK-në, por se Kushtetuesja nuk e lejoi.

Lexo Edhe:

“Kemi pasur një debat jashtëzakonisht të gjatë dhe kemi kërkuar nga ministrja e Drejtësisë dhe kryeministri që ky projektligj të tërhiqet sepse si i tillë padyshim që nuk i përmbush standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe nuk mund të kalojë. Mbrëmë Kushtetuesja ka bërë publike që këtë ligj e ka nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës e Kosovës, gjë që është lajm shumë i mirë për drejtësinë në Kosovë që pushteti i madh i Albin Kurtit nuk arriti ta vendosë nën kthetra edhe një institucion kaq të rëndësishëm siç është KPK-ja”, ka thënë ai.

Sipas tij, po të miratohej ky ligj do të ishte kapje e fuqishme e Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Kurti.

“Të ndodhte një miratim i një ligji të tillë, do të ishte një përmbysje apo një kapje e fuqishme e KPK-së që sot mund të jetë nga Albin Kurti e nesër nga një mazhorancë tjetër. Është një ligj që e cenon rëndë pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ky ligj nuk e ka pasur përkrahjen as të partnerëve tanë ndërkombëtarë që funksionojnë në Kosovë”, ka thënë ai.

Tahiri ka përmendur edhe ambasadorin Martin Berishaj, për të cilin tha se “po bëhet kapja e prokurorisë”.

“Për ta është shumë e rëndësishëm kapja e një institucioni të tillë. Sepse këtyre njerëzve u duhet t’i kenë njerëzit e tyre në kuadër të prokurorisë së shtetit, që një njeri si Martin Berishaj mos të ndjeket. Pra, prokurorët e Albin Kurtit kanë mandat për ta mbrojtur Martin Berishajn, për ta ruajtur Martin Berishajn, sepse Martin Berishaj e merr edhe Albinin, edhe Albulenën edhe shumë të tjerë me vete”.