Një ndeshje do të luhet të martën dhe tri të tjera të mërkurën, derisa xhiroja e tretë do të luhet në fundjavë
Superliga e Kosovës në futboll do të rikthehet këtë mesjavë me ndeshjet e xhiros së dytë, shkruan Gazeta Express.
Katër ndeshje do të luhen të martën dhe të mërkurën, kurse Drita do të pushojë përsëri për shkak të angazhimeve në garat evropian.
Loja kryesore e xhiros së dytë do të jetë ajo në mes të Ballkanit dhe Feronikelit, e cila do të luhet në Suharekë.
Të dyja ekipet i fituan bindshëm duelet përkatëse në xhiron e parë dhe kjo pritet të jetë një ndeshje mjaft interesante.
Ndërkaq, lojë e fortë pritet të jetë edhe ajo në mes të Llapit dhe Gjilanit, që do të luhet po ashtu të mërkurën.
Befasia e xhiros së parë, Arbëria, do ta presë Prishtinën.
Kurse, kjo xhiro do të hapet me ndeshjen Drenica – Besa, e cila do të zhvillohet të martën.
E fundjavën që vjen do të luhet xhiroja e tretë e Superligës. /Gazeta Express/