Tri sindikatat e mediumit publik, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së , Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovs, kanë mbajtur sot takim urgjent, ku thanë se është diskutuar lidhur me gjendjen e rëndë financiare të krijuar në mediumin publik.
“Të tri Sindikatat, unanimisht janë pajtuar që të fillohet me protesta nga e marta, duke filluar nga ora 12:00 para ndërtesës së RTK-së, në TV”. Sindikatat kërkojnë përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti për neglizhimin e deri tashëm, të cilët kanë pasur kohë më shumë se dy javë për të zgjidhur këtë problem”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sindikatat thanë se mosrealizimi i pagave ua pamundëson punëtorëve përmbushjen e nevojave bazike jetësore, përfshirë sigurimin e ushqimit, transportit dhe detyrimeve të përditshme familjare.
“Në këto rrethana, askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi, performancë dhe përkushtim profesional nga punëtorët, ndërkohë që institucioni dështon të përmbushë obligimin e tij më themelor ndaj tyre. Për SPRTK, SPERTK dhe ShSRK, është e papranueshme që një institucion publik me rëndësi të veçantë për informimin e qytetarëve të përballet me pasiguri financiare që vë në pikëpyetje pagesën e punëtorëve të tij. Punëtorët nuk mund dhe nuk do të mbajnë barrën e dështimeve menaxheriale, vendimeve të gabuara apo pasojave të proceseve për të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi”.
Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës thanë se mbeten të vendosura në mbrojtje të pagave, vendeve të punës dhe dinjitetit të punëtorëve.
Shell Kosova ka lansuar në Kosovë karburantet e reja dhe të përmirësuara Shell V-Power, në një event special të organizuar...