PZAP rrëzon vendimin e KQZ’së që lejonte diasporën të votojë me dokumente të skaduara - Gazeta Express
string(90) "pzap-rrezon-vendimin-e-kqzse-per-lejimin-e-diaspores-qe-te-votoje-me-dokumente-te-skaduara"

Lajme

Gazeta Express

05/06/2026 16:48

PZAP rrëzon vendimin e KQZ’së që lejonte diasporën të votojë me dokumente të skaduara

Lajme

Gazeta Express

05/06/2026 16:48

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor për lejimin e votimit me dokumente të skaduara në përfaqësitë diplomatike.

PZAP tha se e ka aprovuar të bazuar ankesa e parashtruar nga Instituti Demokratik i Kosovës lidhur me këtë vendim të KQZ’së për zgjedhjet e 7 qershorit.

“ANULOHET vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Nr.01/1198/2026 i datës 03.06.2026, lidhur me Miratimin e Rekomandimit për Lejimin e Votimit me Dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në Qendrat e Votimit në Përfaqësitë Diplomatike”, thuhet në vendimin e PZAP’së.

“Paneli, pasi shqyrtoi pretendimet ankimore, përgjigjen në ankesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendimin e kontestuar dhe shkresat e tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e bazuar. Paneli ka gjetur se nga shkresat e lëndës rezulton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 01/1198/2026, të datës 03.06.2026, ka miratuar rekomandimin për lejimin e votimit me dokumente të Republikës së Kosovës me afat të skaduar të vlefshmërisë për votim në qendrat e votimit në përfaqësi diplomatike”.

Sipas vlerësimit të panelit, KQZ nuk ka pasur autorizim ligjor që përmes vendimit administrativ, votuesve jashtë Kosovës t’ua lejojë votimin me dokument identifikimi të skaduar, në një situatë kur Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme kërkon shprehimisht paraqitjen e dokumenteve të vlefshme të identifikimit. Konkretisht neni 90 paragrafi 1 i Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme përcakton se, për qëllim të zgjedhjeve, shtetasi me të drejtë vote brenda vendit dhe në përfaqësi diplomatike mund të votojë nëse identifikohet saktësisht në Listën e Votuesve dhe ofron njërin prej dokumenteve të vlefshme të identifikimit të lëshuara nga Republika e Kosovës, përkatësisht letërnjoftimin, pasaportën ose lejen e vozitjes, thuhet në vendim.

Paneli vlerëson se kjo dispozitë është e qartë dhe nuk lejon dualizëm në interpretim që do ta barazonte dokumentin e vlefshëm me dokumentin me afat të skaduar.

“Në këtë rast ligji nuk ka përdorur vetëm termin “dokument identifikimi”, por shprehimisht ka kërkuar “dokumente të vlefshme të identifikimit”. Prandaj, vlefshmëria e dokumentit nuk është vetëm element formal i rëndësishëm, por një kusht ligjor për identifikimin e votuesit në ditën e votimit dhe dhënies së mundësisë për të votuar”.

“Në përgjigjen e dhënë KQZ ka theksuar se gjatë fazës së regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, ka lejuar që aplikues të caktuar të regjistrohen duke paraqitur dokumente të identifikimit me afat të skaduar. Mirëpo PZAP vlerëson se kjo rrethanë në asnjë mënyrë nuk mund të interpretohet me automatizëm si e drejtë për të votuar me dokument të skaduar në ditën e votimit. Nga procedura e regjistrimit të votuesve dhe procedura e votimit janë dy faza të ndryshme të procesit zgjedhor”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement