Personat e maskuar e
të armatosur, kanë sulmuar edhe një punëtor dhe i kanë grabitur 600 Euro
Dy persona të armatosur ja mësynë të shtunën mbrëma zyrave të Korporatës Energjetike
të Kosovës.
E nga këtu, duket që ata nuk dolën duarthatë.
Shuma të cilën arritën ta grabisnin, mendohet të jetë rreth 600 euro.
Madje, në grabitje e sipër, ata edhe sulmuan njërin nga punëtorët e Kosova Thëngjillit.
Ndërkohë nga KEK, thonë që krejt ky rast, ka ndodhur në
hyrje të termocentralit Kosova A, dhe nuk ka të bej me KEK-un.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin se mbrëmë, me datë 14
dhjetor, 2019, ishte sulmuar një zyrtarë i ndërmarrjes Kosova Thëngjilli (që
merret me shitjen e thëngjillit) që operon në hyrje të TC Kosova A. Në lidhje
me këtë ngjarje janë lajmëruar organet e rendit të cilët kanë arritur në vendin
e ngjarjes dhe janë duke u marr me rastin. Prandaj, ky sulm nuk kishte të bëjë
me TC-Kosova A apo me punëtorë të KEK-ut” ,ka thënë Skënder Bucolli, Zëdhënës
në KEK.
Ndërkohë, rastin e kanë konfirmuar edhe në Policinë e Kosovës:
“Më 14.12.2019, në ora 18:11, policia është njoftuar për një grabitje tek
‘Kosova A’-Obiliq. Policia ka kontaktuar me ankuesin (arkëtar) i cili deklaron
se dy persona të maskuar dhe të armatosur njëri me revole dhe tjetrin me një
thikë, e kanë sulmuar dhe i kanë grabitur 600 Euro”.
Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor.
Ndërkohë, organet e sigurisë, thonë që e kanë iniciuar rastin.