Në “San Siro” janë rishfaqur grafite dhe banderola fyese drejtuar drejtuesve të Milanit, përfshirë Gerry Cardinalen dhe Zlatan Ibrahimovicin, me mesazhe veçanërisht të ashpra.
Klubi ndodhet në kaos pasi nuk arriti të kualifikohet në Ligën e Kampionëve, duke humbur në xhiron e fundit në shtëpi ndaj Cagliarit.
Pronari i “RedBird”, Cardinale, reagoi brenda 24 orëve duke shkarkuar trajnerin Max Allegrin, drejtorin sportiv Igli Taren, CEO Giorgio Furlanin dhe drejtorin teknik Geoffrey Moncadan në një vendim të vetëm.
I vetmi që mbeti në strukturë ishte këshilltari special i “RedBird”, Ibrahimovici, i cili tani duket se ka marrë detyrën për të gjetur zëvendësuesit e të gjithë këtyre figurave.
Megjithatë, ultrasit nuk janë të kënaqur dhe po kërkojnë një riorganizim të plotë, përfshirë edhe shitjen e klubit te investitorë të rinj.
Sot janë shfaqur grafite dhe banderola të reja jashtë “San Siros”, duke dërguar mesazhe të qarta.
Për Cardinale shkruhej: “Cardinale gjakpirës” dhe “Cardinale shko në shtëpi”, të dyja në anglisht.
Mesazhet ndaj Ibrahimovicit ishin në italisht, por po aq të ashpra: “Ibra sabotator, largohu” dhe “hiqni këta * nga Milani”.
Gjithashtu ishte edhe një mesazh për Jovan Kirovskin, i cili drejton akademinë e të rinjve dhe ekipin Milan Futuro, që u rrëzua nga Serie C në ligën gjysmë-profesionale.
Për të shkruhej: “Kirovski amator, jep dorëheqjen menjëherë.”/GazetaExpress/