Shtëpia e Bardhë ka reaguar me një deklaratë për sigurinë e Botërorit 2026, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ishte objektiv i një sulmi të armatosur gjatë një eventi në Uashington DC.
Incidenti ndodhi në hotelin “Washington Hilton” gjatë darkës së shtypit të Shtëpisë së Bardhë, ku i dyshuari, i identifikuar si Cole Thomas Allen, hyri i armatosur dhe qëlloi disa herë përpara se të neutralizohej nga forcat e sigurisë.
Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance u evakuuan menjëherë nga agjentët e Shërbimit Sekret.
Kjo ishte tentativa e tretë e njohur për atentat ndaj Trump që nga viti 2024, duke rritur ndjeshëm shqetësimet për sigurinë, sidomos në prag të eventeve të mëdha ndërkombëtare si Botërori.
Në këtë kontekst, Shtëpia e Bardhë theksoi se organizimi i Kupës së Botës 2026 do të kërkojë koordinim të ngushtë mes administratës amerikane, FIFA dhe autoriteteve lokale e shtetërore.
Në deklaratë thuhet se qëllimi është që turneu të jetë jo vetëm spektakolar, por edhe “më i sigurti në histori”.
Shtetet e Bashkuara do të presin 78 nga 104 ndeshjet e turneut, përfshirë edhe finalen.
Kompeticioni do të nisë më 11 qershor me ndeshjen hapëse në “Estadio Azteca”.
Megjithatë, shqetësimet për sigurinë mbeten të larta, për shkak të situatës gjeopolitike dhe pranisë së ekipeve nga vende në konflikt, si dhe masave të shtuara të kontrollit dhe imigracionit rreth stadiumeve./GazetaExpress/