Një gjyqtar i UEFA është arrestuar për dyshime për sulm seksual ndaj një djali, pasi kishte udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar për të gjykuar një ndeshje.
Zyrtari akuzohet për prekje të padëshiruara dhe për përpjekje për ta joshur adoleshentin në dhomën e tij të hotelit para përballjes evropiane.
Policia nisi hetimet pasi gjyqtari, një shtetas i huaj, ishte larguar për ndeshjen e mesjavës dhe u arrestua sapo u kthye, përpara zyrtarëve të habitur të UEFA-s.
Një burim tha për “The Sun”: “Ai duket se kishte filluar të fliste me një djalë në një pjesë publike të hotelit. Ai akuzohet se e ka prekur dhe ngacmuar djalin kundër vullnetit të tij dhe është përpjekur ta tërheqë në dhomën e tij. Është tronditëse dhe krejtësisht e papranueshme nëse është e vërtetë.”
Sipas burimit të mediumit anglez, djali ose një shok i tij e raportoi incidentin në polici ndërsa i dyshuari ishte larguar për të gjykuar ndeshjen.
“Kur u kthye atë natë në hotel, ndërsa hynte me delegacionin e UEFA-s, policia po e priste për ta arrestuar dhe për t’i lexuar të drejtat. Ai u shoqërua dhe u mor në pyetje, më pas u lirua me kusht”, thotë burimi.
Burimi shtoi se ai mund të ekstradohet në Mbretërinë e Bashkuar nëse ngrihen akuza ndaj tij.
Zyrtari ishte një nga qindra gjyqtarët e planifikuar për të marrë pjesë në Botërorin e sivjetëm.
FIFA deklaroi se ai nuk do të merret në konsideratë për asnjë garë të saj ndërkohë që hetimet vazhdojnë.
Ndërkohë, UEFA tha: “Po e ndjekim situatën me shqetësim të madh. Në ndërkohë, zyrtari nuk do të përfshihet në asnjë ndeshje të kompeticioneve tona.”
Policia Metropolitane konfirmoi se një burrë rreth të 30-ave është liruar me kusht ndërsa vazhdojnë hetimet për raportimet se një djalë adoleshent është sulmuar seksualisht./GazetaExpress/