Shpëtim Selmani: Evropianët kanë paragjykime për kosovarët - Gazeta Express
string(57) "shpetim-selmani-evropianet-kane-paragjykime-per-kosovaret"

Shpëtim Selmani: Evropianët kanë paragjykime për kosovarët

Gazeta Express

22/06/2020 15:55

Intervistë me poetin, shkrimtarin dhe aktorin kosovar, njëri ndër fituesit e Çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi 2020. Kur shkoj në Serbi jam šiptar, kur shkoj në Evropë, jam nga Ballkani i përgjakshëm, kur shkoj në Amerikë, jam evropian

Intervistoi: Nicola Baroni

Lexo Edhe:

Më 2014, Guardiani u kërkoi dhjetë poetëve evropianë ta rrëfenin në vargje vendin e tyre. «E qartë, ky nuk është kontinent që vuan nga besimi i tepërt në vetvete; madje, përkundrazi», komentoi me ironi gazetari britanik. «Nëse, në stilin e Eurovizionit, nuk do të mund ta votonim Don Patersonin tonë shumë të vlerësuar, do të duhej ta vlerësonim kosovarin Shpëtim Selmani, për ushtrimin spektakolar të pesimizmit të tij konciz».

Këto ishin katër vargjet e tij: “On the first day blood was created / on the second day death / on the third love was mentioned / and then there were no days left for us” (Në ditën e parë u krijua gjaku, në ditën e dytë vdekja, në ditën e tretë u tha diçka për dashurinë dhe pastaj nuk pati asnjë ditë për njerëzit).

Gjashtë vjet më vonë Shpëtim Selmani e ka fituar çmimin e Bashkimit Evropian për letërsi me librin e tij “Libërthi i dashurisë”, i përkufizuar nga juria “një risi në prozën shqipe”, i cili ende nuk është përkthyer në italisht. 

I lindur në Prishtinë, më 1986, përveç poet dhe shkrimtar, Selmani është aktor teatri dhe filmi: «Në këtë jetë të tmerrshme, frymëzimi poetik është një gjë shumë e bukur dhe nuk vjen shumë shpesh», tregon, «por, ai nuk është gjithçka dhe nuk mund të rrohet në pritje të tij. Edhe puna që e mbështet është qendrore. Të qenët aktor më ka ndihur ta kuptoj këtë».

Libri i tij është një reflektim i gjatë që, duke u nisur nga rutina e përditshmërisë, prek mondanen dhe shpirtëroren, ideologjitë dhe letërsinë. Mes të gjithave një ide hedh dritë ndryshe nga të tjerat: ajo e qenit prind. Çka do të thotë t’i japësh një emër një fëmije dhe pastaj ta shqiptosh për herë të parë atë emër?

«Libri flet për mua, birin tim dhe gruan time. Në të njëjtën periudhë kur e humba tim atë, zbulova se po bëhesha baba», shpjegon Selmani. «’Libërthi i dashurisë’ është një bashkësi fragmentesh që rrëfejnë këtë dhe rolin tonë në një shoqëri që është përherë në tranzicion dhe në luftë me mundësinë për të qenë të lirë».

Juria e ka asociuar këtë “kompozim hibrid ginish të ndryshme” me “romanin-konstelacion” të autores polake Olga Tokarczuk,  fituese e çmimit Nobel. Monologu fragmentar i Selmanit i përplas kotësitë e përditshmërisë me pyetjet e mëdha: si pajtohen liria e individit me përgjegjësitë e tij kolektive? A mund të rritemi pa u përlyer? Vetëm fëmijët janë pa njolla?

Identiteti i tij kosovar është fragmentar, si romani i tij? «Jam shqiptar i Kosovës», përgjigjet. «Kur shkoj në Serbi jam šiptar (term përçmues me të cilit disa serbë i thërrasin shqiptarët). Kur shkoj në Evropë, vij nga Ballkani i përgjakshëm. Kur shkoj në Amerikë, jam evropian. Kur shkoj në Mars, vij nga Toka. Këtyre ditëve ndiej të jem George Floyd. Allen Ginsberg  ka thënë se njeriu ka shumë identitete: unë përbëhem prej shumë identiteteve».

Njëri prej shumë identiteteve të Shpëtim Selmanit, që nxjerr kokën në syzet e rrumbullakëta dhe flokët e zeza të shpupurishura, është ai i poetit amerikan. «Beat Generation ka qenë drita ime për shumë kohë», konfirmon ai, «por, sot ndihem më afër lëvizjen infrarealiste të Roberto Bolanjos».

Nga njëra anë ka marrë çmimin e Bashkimit Evropian për veprën e tij, nga ana tjetër jeton në një vend, Kosovë, që ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet, nuk është pjesë e Bashkimit, bile ende as nuk ka ndonjë datë të hyrjes. Madje, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkan është ngadalësuar viteve të fundit.

«Pjesa më e madhe e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian e ka njohur Kosovën, përgjigjet. «Veç se kemi shumë probleme me politikanët tonë, në Kosovë, por edhe në Evropë. Mirëpo, unë nuk jam politikan, jam një fëmijë i luftës: isha dymbëdhjetë vjeç kur bëri vaki. Sprova ime njerëzore ka qenë përtej politikës».

«Evropa sot është për ne si një shtet i ri, është ajo që dikur ishte Amerika: një ëndërr. Dhe kultura evropiane është prore drejtimi im. Kemi një skenë të jashtëzakonshme kulturore, që është në pritje të shprehet në skenën evropiane dhe t’i shkëmbejë idetë me të. Premiera e filmit ‘Cirku fluturues’, i regjisorit fantastik Fatos Berisha, ku kam luajtur, sa për të dhënë një shembull, është mbajtur në Estoni, në Talin».

«Por, duhet të na i hapni dyert. Jemi ende të izoluar, për shkak të një çështjeje politike dhe jemi të lodhur nga ky përbindësh i quajtur ‘politikë’. Shpresoj të hyjmë më shpejt në shtëpinë evropiane, por as liberalizimi i vizave q ë e prisnim nuk është bërë. E gjitha për shkak të një çështjeje politike, marrëdhëniesh e paragjykimesh që nganjëherë i ngjajnë racizmit».

Çfarë lloj paragjykimesh? «Kam luajtur në shumë vende evropiane dhe nganjëherë mund ta ndiej paragjykimin ndaj nesh. Mbaj mend, për shembull, kur nëna e një ish të dashurës sime suedeze u habit nga fakti se po e lexoja Filip Rothin. “Përnjëmend e njohke?”, më pyeti».

Pavarësisht kësaj, a ndiheni në shtëpi në Evropë? «E kam humbur virgjërinë në zemër të Evropës, në Gjermani. I dua qytetet e vockla evropiane, provincën franceze me djathërat e saj, fermat në Toskanë me verën e mirë, natyrën e mrekullueshme, ata të moshuarit që punojnë në ‘pabet’ tuaja. Në Evropë nuk ke nevojë të vdesësh që të shkosh në parajsë. Paqja është tashmë aty».

«Miku im Antoine Jaccoud thotë se është i lumtur kur e observon një pemë të vetmuar ose një udhë boshe. Mund të dukem patetik po të thosha se i ndiej si të miat të gjitha vendet e botës, ama kështu është. dhe në të njëjtën kohë, kur evropianët vijnë në Kosovë dhe e pinë rakinë tonë me çmim të lirë, janë të lumtur. Dhe është e pabesueshme: jemi të njëjtë».

Përveç Rothit, cilat janë referencat tuaja letrare? «Kam lexuar shumë, të gjithë letërsitë e të gjitha kontinenteve. Ndihem shumë afër Michel Houellebecq-ut. Është autor plot me skandale dhe paradokse, por mendoj se është gjeni. Më pëlqen vizioni i tij për jetën. Pesimizmi i tij e ka një lidhje të fortë me këtë kohë kur bota është dëng me pakënaqësi dhe njerëzit janë në kërkim të roleve të tyre në një realitet të ngopur nga teknika plot me tmerr».

Çka po lexoni? «Gjatë pandemisë e kam lexuar ‘Lëkurën’, nga Curzio Malaparte. Ai bën një përshkrim të mirë të konceptit të lëkurës si kufi. Dhe më ka bërë të reflektoj mbi raportin mes shkrimtarëve e pushtetit dhe opinioneve publike të shprehura nga shkrimtarët. Nuk mund të pranoj prej tyre ideologji të mbrapshta. Prandaj ka qenë një mësim për mua. Si mund ta lexoj Handken, për shembull, nëse ai thotë të pavërteta për masakrën e Srebrenicës?».

A ka autorë kosovarë që do të duhej t’i njihnim? «Jeton Neziraj është i zoti, shfaqjet e tij teatrore janë në skenat e gjithë Evropës. Edhe Arben Idrizi, i cili i ka përkthyer disa shkrimtarë italianë, do të duhej po ashtu të përkthehej. Kemi shkrimtarë të zotë që po vijnë: Ballkani ka qenë fole konfliktesh dhe edh epër këtë arsye, natyrisht, letërsia ballkanike është plot me shkrimtarë të mirë. Duhet të dëgjohen. Besoj se kishte të drejtë Jonas Mekas: qytetërimi duhet t’i dëgjojë poetët e vet, nëse dëshiron të mbijetojë dhe të mos vdesë».

/ https://www.linkiesta.it/2020/06/gli-europei-hanno-un-pregiudizio-verso-i-kosovari/