Mohamed Salahu ka bërë një apel emocional për tifozët e Liverpoolit që t’i japin Jordan Henderson “lamtumirën që e meritonte” kur ish-kapiteni të kthehet në “Anfield”.
Sulmuesi egjiptian beson se largimi i papritur i Hendersonit në vitin 2023 e privoi legjendën e klubit nga një përshëndetje e duhur pas më shumë se një dekade shërbimi të mbushur me trofe në Merseyside.
Hendersoni pritet të luajë për herë të parë në “Anfield” që nga largimi i tij i shpejtë në verën e 2023, kur u transferua në Arabinë Saudite, dhe tani rikthehet në Premierligë me Brentfordin.
Duke folur për “TNT Sports”, Salahu theksoi rëndësinë e kontributit të Hendersonit në suksesin modern të klubit.
“Ai nuk e mori lamtumirën që e meritonte, sepse u largua menjëherë. Njerëzit në qytet e dinë sa shumë ka rënduar për Hendo të jetë kapiten për 12 vite, më shumë se unë, më shumë se Virg, më shumë se kushdo tjetër. Nuk e di si do ta menaxhojnë klubi apo tifozët, por shpresoj që të bëjnë diçka speciale për të. Ai ka qenë një nga lojtarët më të mirë të këtij klubi dhe pa të në dhomën e zhveshjes nuk do të kishim arritur atë që kemi arritur. Shpresoj që tifozët t’i japin një përshëndetje të mirë. Sepse ky është Liverpooli dhe ne i bëjmë gjërat në këtë mënyrë”, tha ai.
Vetë Hendersoni më herët ka pranuar se largimi nga Liverpooli ishte emocionalisht shumë i vështirë, duke e përshkruar si një “ndarje” të dhimbshme nga klubi ku kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.
Ai tha se e pati të vështirë edhe të ndiqte ndeshjet e ish-ekipit për një periudhë pas largimit, duke theksuar lidhjen e fortë emocionale me klubin dhe qytetin.
Ky rikthim në “Anfield” pritet të jetë një moment i veçantë emocional, me pritshmëri që tifozët të tregojnë respekt për një nga figurat më të rëndësishme të epokës së fundit të Liverpoolit./GazetaExpress/