“Rruga Lennart Johansson”, Albert Bunjaki ia propozon Përparim Ramës emërtimin e një rrugë në Prishtinë për ta nderuar njeriun që ndihmoi shumë futbollin e Kosovës - Gazeta Express
string(160) "rruga-lennart-johansson-albert-bunjaki-ia-propozon-perparim-rames-emertimin-e-nje-rruge-ne-prishtine-per-ta-nderuar-njeriun-qe-ndihmoi-shume-futbollin-e-kosoves"

Sport

Gazeta Express

04/05/2026 9:32

“Rruga Lennart Johansson”, Albert Bunjaki ia propozon Përparim Ramës emërtimin e një rrugë në Prishtinë për ta nderuar njeriun që ndihmoi shumë futbollin e Kosovës

Sport

Gazeta Express

04/05/2026 9:32

Ish-selektori i Kombëtares së Kosovës, Albert Bunjaki nuk i harron asnjëherë ata që e ndihmuan futbollin kosovar.

Së fundmi, Bunjaki ia ka dërguar një letër-propozim kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama që njërën prej rrugëve të kryeqytetit ta emërtojë “Rruga Lennart Johansson”.

Trajneri kosovar mendon se ish-presidenti i UEFA-s e meriton të nderohet dhe të përjetësohet në vendin tonë, të cilin e ndihmoi shumë në rrugëtimin e vështirë drejt pranimit ndërkombëtarisht.

Më poshtë mund ta lexoni letrën që ia dërgoi trajneri Bunjaki kryetarit Rama.

“I nderuar Kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama,

Po ju drejtohem me respekt të thellë për të paraqitur një propozim që besoj se ka rëndësi të veçantë historike, sportive dhe simbolike për qytetin e Prishtinës dhe për Republikën e Kosovës.

Bëhet fjalë për nderimin e figurës së z. Lennart Johansson, ish-president i UEFA-s, përmes emërtimit të një rruge në kryeqytetin tonë me emrin e tij  ”Rruga Lennart Johansson”.

Z. Johansson ishte një nga figurat më të rëndësishme të futbollit evropian, por për ne në Kosovë ai përfaqëson shumë më tepër se kaq. Gjatë mandatit të tij si president i UEFA-s, ai ishte ndër të parët që e ngriti në mënyrë zyrtare çështjen e Kosovës në instancat më të larta të futbollit evropian. Në një kohë kur Kosova ishte ende larg njohjes ndërkombëtare në sport, guximi dhe vizioni i tij kontribuuan në hapjen e rrugës drejt përfshirjes dhe pranimit tonë në familjen evropiane të futbollit.

Ky veprim nuk ishte vetëm sportiv, por edhe thellësisht njerëzor dhe vizionar. Ai tregoi se futbolli mund të jetë një urë lidhëse mes kombeve dhe një zë për drejtësi dhe përfshirje.

Emërtimi i një rruge me emrin e tij në Prishtinë do të ishte një akt mirënjohjeje dhe respekti institucional për një mik të madh të Kosovës. Njëkohësisht, do të shërbente si frymëzim për gjeneratat e reja, duke i kujtuar ato për rëndësinë e lidershipit, guximit dhe mbështetjes ndërkombëtare në momente kyçe të historisë sonë.

Jam i bindur se nën udhëheqjen tuaj, Prishtina ka treguar vazhdimisht vullnet për të nderuar figura që kanë kontribuar në zhvillimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në këtë frymë, besoj se ky propozim meriton shqyrtim serioz.

Ju falënderoj për kohën dhe vëmendjen tuaj, dhe shpresoj që kjo nismë të gjejë mbështetjen tuaj.

Me respekt të lartë, Albert Bunjaki.” /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement