Aktorja dhe modelja Brigitte Nielsen ka dhënë një intervistë të fortë në emisionin “Belve” me Francesca Fagnani, ku ka folur hapur për marrëdhënien me ish-bashkëshortin e saj, Sylvester Stallone, si dhe për periudha të vështira personale dhe sfida me varësinë.
Në rrëfimin e saj, Nielsen deklaron se marrëdhënia me Stallone ndryshoi menjëherë pas martesës. Ajo pretendon se ka përjetuar një lidhje të vështirë, duke e përshkruar ish-partnerin si “të ashpër në mënyrë psikologjike dhe fizike” dhe duke theksuar se është ndjerë e rrezikuar.
“Diçka ndryshoi natën e dasmës. Ishte e tmerrshme, diçka që nuk do ta harroj kurrë. Ai ishte shumë mizor, si psikologjikisht ashtu edhe fizikisht. Ishte obsesiv. U ndjeva në rrezik,” është shprehur ajo.
Aktorja shton gjithashtu se ndarja nga Stallone, sipas saj, pati ndikim negativ në karrierën e saj në Hollywood. Nielsen pretendon se u përball me vështirësi profesionale pas përfundimit të martesës, duke përmendur edhe kufizime ligjore që, sipas saj, e kanë penguar të flasë më herët për këtë periudhë.
“Ai ma shkatërroi karrierën pasi u largova prej tij. Më vendosi në ‘listën e zezë’ të Hollywood-it. Ai nuk mund ta besonte që dikush do ta linte. Unë jam si një bombë atomike sepse di gjithçka. Por kam nënshkruar një kontratë,” ka deklaruar Nielsen.
Gjatë intervistës, ajo ka folur edhe për periudha të errëta të jetës së saj, përfshirë përballjen me varësinë nga alkooli dhe gjendje të rënda emocionale. Nielsen ka rrëfyer se ka kaluar kriza të thella psikologjike dhe ka përmendur edhe një tentativë të mëparshme për t’i dhënë fund jetës, duke e cilësuar atë periudhë si një nga më të dhimbshmet.
“Ishte një ditë e tmerrshme. Më theu gjysmën e shpirtit. Doja paqe. Më bëri lavazh trurin. Si ISIS. Nuk isha më vetja,” është shprehur ajo.
Në një pjesë tjetër të intervistës, Nielsen ka folur edhe për një marrëdhënie tjetër problematike, duke pretenduar se gjatë asaj kohe ka qenë nën ndikim të fortë psikologjik. /GazetaExpress/