Një histori që duket si film, por është reale, ka tronditur rrjetet sociale: një “influencere” seksi, patriote dhe ultra-konservatore amerikane rezulton të mos ekzistojë fare.
Pas profilit viral “Emily Hart”, që mblodhi mijëra ndjekës dhe miliona shikime, fshihej në të vërtetë një student 22-vjeçar nga India, i cili përdori Artificial Intelligence për të krijuar një identitet tërheqës dhe për të gjeneruar të ardhura online.
Sipas WIRED, i riu ndërtoi me kujdes personazhin: një infermiere “patriote”, me pamje të ngjashme me Jennifer Lawrence, që postonte foto provokuese dhe mesazhe të forta politike pro Make America Great Again.
Por kjo nuk ishte thjesht një eksperiment, por një model biznesi. Brenda pak javësh, profili u rrit me ritme të shpejta: mijëra ndjekës të rinj çdo ditë, video me miliona shikime dhe të ardhura nga abonime dhe përmbajtje ekskluzive.
Krijuesi përdori platforma si Fanvue për të shitur përmbajtje të gjeneruar nga AI, duke fituar mijëra dollarë në muaj. “Po fitoja para pa bërë pothuajse asgjë,” rrëfen ai për WIRED.
Skandali u thellua pasi ai pranoi se i konsideronte ndjekësit e tij “super budallenj”, duke pretenduar se audienca konservatore ishte më e lehtë për t’u manipuluar.
Në fund, rrjeti social e mbylli llogarinë për aktivitet mashtrues, por jo përpara se profili të nxiste debat të gjerë mbi rreziqet e inteligjencës artificiale. Ekspertët paralajmërojnë se raste të ngjashme pritet të shtohen, pasi teknologjia po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes reales dhe manipulimit.
Një gjë mbetet e qartë: në epokën e AI, jo çdo “influencer” është ai që duket — dhe disa mund të mos ekzistojnë fare. /GazetaExpress/