Pas fitores 2-0 ndaj Al-Ahlit të mërkurën e kaluar, ku shënoi edhe një gol për të zgjeruar më tej legjendën e tij, Cristiano Ronaldo foli për “CanalGOATBR”.
Ylli portugez dha disa deklarata të forta për fundin e karrierës, ndikimin e tij te brezat e ndryshëm dhe ambicien për të vazhduar të garojë në nivelin më të lartë.
Sulmuesi portugez ishte i sinqertë kur foli për të ardhmen dhe pranoi se fundi po afrohet gjithnjë e më shumë.
“Fundi i karrierës sime po afrohet… le ta shijojmë çdo ndeshje,” tha ai.
Megjithatë, ai e bëri të qartë se uria e tij konkurruese mbetet e paprekur.
“Karriera ime ka qenë e jashtëzakonshme dhe dua që të mbetet e tillë. Ende po e shijoj, ende po shënoj gola”, shtoi ai.
Përtej rekordeve individuale, Cristiano e vuri theksin edhe te objektivi kolektiv dhe mundësia për të fituar më në fund Saudi Pro League me Al Nassr.
“Por mbi të gjitha, bëhet fjalë për të fituar. Dhe ne duam shumë ta fitojmë kampionatin”, tha ai.
Aktualisht, skuadra saudite kryeson tabelën, me tetë pikë më shumë se Al-Hilal, edhe pse me një ndeshje më shumë të zhvilluar.
Cristiano foli gjithashtu për ndikimin e tij në futboll dhe për brezat e ndryshëm që e kanë ndjekur.
“Vazhdoj të luaj jo vetëm për këtë brez, por edhe për të kaluarin dhe për atë që do të vijë. E shijoj ditë pas dite, ndeshje pas ndeshjeje, vit pas viti, edhe tani që po i afrohem fundit të karrierës. Kjo është fakt”, u shpreh portugezi.
Në moshën 41-vjeçare, Cristiano Ronaldo vazhdon të garojë me të njëjtin obsesion si gjithmonë: të shënojë, të fitojë dhe të lërë gjurmë.
Fundi po afrohet, po – por për sa kohë që është në fushë, ambicia e tij duket se nuk ka datë skadimi./GazetaExpress/