Në vizitën e realizuar sot në qytetin e Ohrit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut premtoi se autostrada Kërçovë – Ohër do të përfundojë deri në tremujorin e parë të vitit 2027-të, transmeton Portalb.mk.
“Do të doja vetëm të përmend se një pjesë e prioriteteve që kishte komuna dhe një pjesë e projekteve që i propozuan deputetët janë ose të realizuara, ose janë në faza realizimi, ose do të fillojnë të realizohen. Është shumë e rëndësishme kur udhëtoni drejt Ohrit dhe kur mund të shihni progresin e autostradës që është lëshuar në përdorim dhe për të cilën presim, sipas njoftimeve të mëparshme, që të jetë plotësisht funksionale nga Kërçova deri në Ohër, më së voni në tremujorin e parë të vitit 2027-të”, deklaroi Mickoski.
Ai sqaroi që kredia nga banak kineze “Exim” ishte anuluar, ndërsa mjetet janë siguruar nga bankar komerciale vendore.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, në muajin prill deklaroi se Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore do të marrë fonde me kushtet më të volitshme nga pesë banka vendase për të përfunduar ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër pas ndërprerjes së financimit nga Banka Kineze “Exim”. Ministri tha se u vendos që punimet të vazhdohen për shumë arsye dhe sipas tij autostrada do të përfundojë në fund të vitit. 175 milionë euro mjete shtesë janë siguruar për vazhdimin e punimeve.
Në shkurt të këtij viti, u njoftua se autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë me një shumë të re prej 186 milionë eurosh dhe një afat deri në qershor të vitit të ardhshëm. Në mars, drejtori i NPRRSh-së, Koce Trajanovski, nënshkroi aneks të ri, të tetë, të marrëveshjes midis NPRRSh-së dhe Sinohodron kineze, ndërsa paratë janë të destinuara posaçërisht për stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut duke ndërtuar 14 galeri. Këto fonde, sipas njoftimit të sotëm, duket se janë siguruar në formën e kredive nga bankat vendase. Autostrada është e gjatë 57 kilometra, nga të cilat deri më tani janë hapur rreth 40 kilometra.
Autostrada ka qenë në ndërtim e sipër për më shumë se 12 vjet, dhe projekti u nis nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili tani është i dënuar me burg dhe gëzon azil në Hungari. Rasti i financimit të autostradës përmes një kredie nga Banka kineze Eksim ishte një nga rastet e Prokurorisë Speciale Publike, i quajtur “Trajektorja”. Ndër të pandehurit, përveç Gruevskit, ishin ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, si dhe ish-drejtori i NPRRSh-së, Ljupço Georgievski. Akuzat kundër tyre në këtë rast u vjetërsuan pas ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara nga qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Akuzat ishin se në këtë rast buxheti i shtetit ishte dëmtuar me 155 milionë euro. Më parë, për vite me radhë, çështja ishte zvarritur nëpër labirintet gjyqësore.
tag_katrorimaqedoni_2