Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo, ka shprehur pakënaqësinë e tij me mënyrën se si trajneri Carlo Ancelotti e organizoi Brazilin në barazimin zhgënjyes ndaj Marokut në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës.
Ish-sulmuesi i famshëm kritikoi veçanërisht përdorimin e Raphinha në krahun e majtë, duke argumentuar se ylli i FC Barcelona ka shkëlqyer gjatë sezonit duke luajtur në anën e djathtë.
“Raphinha në të majtë, kur ka pasur një sezon fantastik me Barcelonën në të djathtë? Kishte disa gjëra që ishte e vështirë t’i kuptoje. Fatmirësisht, në pjesën e dytë situata filloi të përmirësohej”, tha Ronaldo për ESPN Brasil.

Sipas tij, pozicionimi i gabuar i Raphinhas i heq Brazilit shpejtësinë dhe rrezikshmërinë që ai zakonisht sjell në sulm.
Megjithatë, Ronaldo beson se paraqitja e dobët nuk lidhet vetëm me aspektin taktik. Ai theksoi se presioni i ndeshjes së parë në një Kupë Bote ndikoi dukshëm te lojtarët brazilianë.
“Mbetem optimist. Ishte presioni i ndeshjes së parë. Nuk është normale të gabohen kaq shumë pasime, sidomos në pjesën e parë. Edhe lojtarë me përvojë si Casemiro nuk dukeshin të qetë. Nervozizmi ndikoi shumë te kombëtarja braziliane. Kur dëgjova edhe lojtarët dhe Ancelottin ta pranonin këtë, u qetësova. Është normale, është Kupë Bote”, deklaroi ai.
Për ndeshjen e ardhshme ndaj Haitit, Ronaldo sugjeroi një ndryshim në repartin ofensiv. Ai mendon se Luiz Henrique duhet të luajë në krahun e djathtë për t’i dhënë më shumë gjerësi lojës së Brazilit.

“Luiz Henrique hyri shumë mirë në lojë dhe e hapi fushën në të djathtë. As Raphinha dhe as Lucas Paqueta nuk arritën ta bënin këtë. Kur krijon më shumë hapësira, mesfusha çlirohet dhe Brazili bëhet më i rrezikshëm. Mendoj se ky është një ndryshim i vogël që mund të bëjë diferencën”, shtoi Ronaldo.
Pas barazimit me Marokun, Brazili synon të rikthehet te fitorja në përballjen e radhës, ndërsa Ancelotti pritet të vendosë nëse do të marrë parasysh kritikat dhe sugjerimet e një prej ikonave më të mëdha të futbollit brazilian. /GazetaExpress/